Shoqatat e Transportit letër Ibrahimajt dhe Karakaçit: 450 linjave u rrezikohet shërbimi nga java tjetër

Shoqatat e Transportit i janë drejtuar me një letër ministres së Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi duke paralajmëruar se nga java e ardhshme mund të ndërpritet shërbimi për rreth 450 linja në të gjithë vend.

Paralajmërimi vjen pasi ata shprehen se po përballen me një rritje të lartë kostosh, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të karburantit dhe mungesës së masave kompensuese nga institucionet.

Sipas operatorëve, pas takimit të zhvilluar më 1 prill, ishte premtuar një tjetër mbledhje më 7 prill, e cila nuk është realizuar, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë reagim apo qëndrim zyrtar nga institucionet.

“Në mungesë të një ndërhyrjeje të shpejtë dhe konkrete nga ana e institucioneve përgjegjëse, operatorët nuk do të kenë mundësi financiare për të përballuar vazhdimin normal të aktivitetit nga java e ardhme. Për rrjedhojë nese institucionet nuk reagojnë, siç e theksuam edhe me lart, nga java e ardhshme do të vihet seriozisht në rrezik vijimësia e shërbimit publik për qytetarët”- thuhet në letrën drejtuar dy ministrive ku kërkohet ndërhyrje urgjente.

“Sektori i transportit publik përfaqëson një shërbim me rëndësi të veçantë publike dhe sociale. Për pasojë, mosndërhyrja në kohë nuk prek vetëm operatorët ekonomikë, por cenon drejtpërdrejt interesin publik, qytetarët përdorues të këtij shërbimi dhe funksionimin normal të jetës urbane dhe ndërurbane. Për sa më sipër, kërkojmë:

Informim të menjëhershëm zyrtar mbi ecurinë e shqyrtimit të kërkesave tona pas takimit të datës 01.04.2026;

Përcaktimin e një qëndrimi konkret institucional lidhur me masat që do të merren për mbështetjen e sektorit;

Ndërhyrje urgjente për miratimin e një pakete mbështetëse emergjente, me qëllim shmangien e kolapsit financiar të operatorëve dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimit publik”, theksohet në letrën e shoqatave.