Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëxuar kërkesën e Belinda Ballukut për shuarjen e masës së sigurisë “pezullim nga detyra”.
Balluku e ankimoi masën e sigurisë, pasi sipas avokatëve të saj, kjo masë nuk është më në fuqi, pasi Balluku nuk mban më funksionin e ministres apo zv.kryeministres.
Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shtetit qindra miliona euro.
Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe një hetim pasuror ndaj ish-zv.kryeministres. SPAK ka adresuar disa shkresa në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për të kërkuar informacione mbi pasurinë e Ballukut, ndërkohë që kanë kërkuar të dhëna edhe në ILDKPI dhe disa institucione të tjera. Gjithashtu një hetim ka nisur edhe për kompanitë që kanë bashkëpunuar me ish-ministren.
Prokuroria e Posaçme kërkoi në Kuvend lejen për arrestimin e Ballukut, por mazhoranca me forcën e kartonit nuk pranoi, duke u bërë mburojë për ish-ministren.
Ky vendim ka ndikuar edhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pasi shumë vende janë bërë skeptike në lidhje me vendin tonë, për shkak të pengimit që i bëhet drejtësisë nga pushteti.