Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Irani mund të përballet me pasoja shkatërruese nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda afatit të vendosur nga Uashingtoni.
Gjatë një konference për shtyp, kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet shumë shpejt.
“I gjithë vendi mund të shkatërrohet brenda një nate, dhe ajo natë mund të jetë nesër në mbrëmje”, u shpreh ai, duke iu referuar ultimatumit të vendosur ndaj Irani për arritjen e një marrëveshjeje.
Në vijim, Trump foli edhe për një operacion shpëtimi të pilotëve amerikanë, duke akuzuar një gazetar për publikimin e informacionit të klasifikuar. Sipas tij, rrjedhja e të dhënave vuri në rrezik jetën e një piloti të zhdukur dhe komplikoi operacionin në terren.
Ai theksoi se autoritetet po përpiqen të identifikojnë personin përgjegjës për publikimin e informacionit, duke e cilësuar rastin si cenim të sigurisë kombëtare.
“Dikush nxori informacion. Urojmë ta gjejmë se kush e bëri këtë. Ata nuk e dinin se dikush kishte humbur, por kjo u bë publike dhe ndikoi drejtpërdrejt në sigurinë tonë kombëtare. Ai person duhet të përfundojë në burg,” deklaroi presidenti.
Trump shtoi se rrjedhja e informacionit e bëri më të vështirë operacionin e shpëtimit, pasi sipas tij, autoritetet iraniane nisën kërkimet për pilotin amerikan menjëherë pas publikimit të lajmit.