Gjykata e Posaçme ka lehtësuar masat e sigurisë për 4 të pandehur të dosjes “Bankers”. GJKKO vendosur ndryshimin e masën nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje” për ish-drejtorin Leonidha Cobon, drejtorin Hong Ping Xiao, Ardit Kero dhe Lianyi Wang.
4 të pandehurve u ndalohet dalja jashtë vendit.
Kërkesa për zëvendësimin e masave u kërkua nga vetë dy prokurorët e posaçëm Enkelejda Millonai dhe Anita Jella për shkak se i ka kaluar afati 9 mujor i paraburgimit ndërkohë që vetë avokatët kërkuan te hetohen pa masa.
Mbi këta 4 persona rendojnë akuzat “Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre” dhe “Moskryerje e detyrave nga organet tatimore”.
Sipas hetimeve paraprake, kompania “Bankers Petroleum Albania Ltd” rezulton të ketë dalë me humbje për çdo vit nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024 – një periudhë 20-vjeçare gjatë së cilës shteti shqiptar nuk ka përfituar asnjë të ardhur nga fitimet e kësaj kompanie, ndonëse ajo ka nxjerrë dhe tregtuar sasi të mëdha nafte në zonat e Patos-Marinzës në Fier.
Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se kompania ka realizuar shitje dhe eksporte në vlerën prej mbi 532 miliardë lekësh, ndërkohë që ka deklaruar shpenzime që tejkalojnë këto të ardhura, duke dalë çdo vit me humbje. Në këtë mënyrë, ajo ka shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin dhe dyshohet se ka përfituar rimbursime fiktive të TVSH-së në shuma që arrijnë në miliona euro.