Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën

Gjykata e Lartë la në fuqi dënimin e përjetshëm të Redjan Rrajës, i gjetur fajtor për vrasjen e Andi Malokut, vrasjen e mbetur në tentativë të prokurorit Arjan Ndoja dhe vrasjen e mbetur në tentativë të Aleksandër Lahos alias Pëllumbu Muharremit.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë la në fuqi edhe dënimin me 35 vite burgim për Arjol Halilajn, nën akuzë për të njëjtën ngjarje.

Vendimi u shpall nga kolegji penal i përbërë nga Sokol Binaj, Ilir Panda dhe Sandër Simoni.

Gjykata e Lartë u shpreh se e konsideron rekursin e dy të akuzuarve si të pabazuar dhe ndaj la në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit. 

Kujtojmë se Redian Rraja u arrestua në Shkodër në nëntor të 2019, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi, pasi u zbulua nga gjurmët e gishtërinjve, të gjetura në një palë syze në makinën që u braktis nga atentatorët në Ishëm.