Shehaj i përgjigjet Ramës për banorët e Rrjollit: Toka do shkojë te i zoti dhe pikë

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj i është drejtuar me një mesazh kryeministrit Edi Rama në lidhje me banorët e Rrjollit të cilët kanë rreth dy muaj që janë ngritur në protestë në mbrojtje të tokave të tyre të trashëguara, që thonë se po u grabiten nga persona të lidhur me pushtetin.

Gjatë një bashkëbisedimi me protestuesen Luçiana Kokaj në Podcastin “Mundësia”, Shehaj i është përgjigjur kryeministrit Rama i cili në një mbledhje me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS porositi deputetët të mos i mbështesin banorët e Rrjollit duke deklaruar se ata i kanë dokumentet false.

Shehaj në mesazhin e tij thekson se tokat për të cilat me dhjetra burra, gra e fëmijë të Rrjollit po i mbrojnë prej 2 muajsh, “nuk mund t’ia grabisni as ju, as miqtë tuaj oligarkë të cilëve ju i falni prona dhe ata ua kthejnë duke u bërë ushtarët tuaj në mbajtjen e pushtetit!”.

“Kam unë një mesazh për Kryeministrin tani me atë që më tregove: Nuk ia merr dot pronën Glaukut dhe mamasë së Glaukut.
Nuk ua merr dot, do ta shikosh. Këtu do jemi. Përditë do luftojmë në krah të burrneshës dhe të djalit të saj dhe të gjithë banorëve të Rrjollit”, thekson kreu i Mundësia.

Shehaj thekson se Partia Mundësia do të jetë në krah të banorëve të Rrjollit dhe të të gjithë qytetarëve që u cënohet dinjiteti i pronës nga vendimet korruptive të personave të veshur me pushtet.

“Toka do shkojë te i zoti dhe pikë”, shprehet Shehaj.