Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022 ka thënë sot se djali i tij është ekzekutuar në Durrës.
Pas seancës së GJKKO në lidhje sekuestrimin e 34 pasurive, Martinaj tha se fatin e djalit të tij e dinë të gjithë, përveç medias dhe prokurorisë.
Duke folur për gazetarët, Mustafa Martinaj tha se për këtë çështje ai ka dhënë shpjegime para Byrosë Kombëtare të Hetimit, por shtoi se SPAK nuk do të hetojë rastin.
“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para shpjegimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë 2 muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit.
Nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur se më ka thirrur gjykata, jam invalid, kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”, tha Mustafa Martinaj.
Kujtojmë se prej 4 vitesh nuk ka asnjë informacion për “mbretin” e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, ndërsa më herët babai i tij i është drejtuar Gjykatës së Lezhës për ta shpallur të zhdukur djalin e tij.
Kujtojmë se ish-oficeri i Operacionales Jeton Lami, ishte njeriu i fundit që ka shoqëruar Ervis Martinaj, midis datave 5 dhe 6 gusht të vitit 2022.