Skënder Hita është emëruar drejtori i ri i Policisë së Shtetit, pas shkarkimit të Ilir Prodës në fillim të këtij muaji.
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave dhe është komunikuar nga Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Sipas Lamallarit, ky vendim i marrë ishte i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet, pasi Skënder Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga procesi i konkurrimit.
“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam vendimin për dhënien e gradës Drejtues Madhor dhe emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Skënder Hita. Ky është një vendim i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet.
Skënder Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga një proces konkurrues, duke dëshmuar përvojë të spikatur, vizion të qartë strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve.
Policia e Shtetit ka një rol kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Prandaj, drejtimi i saj kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por edhe ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi të lartë publike.
Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë performancën, të rrisë besimin e qytetarëve dhe të përmbushë me përkushtim misionin e saj në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës”, shkruan Lamallari.