Trump akuzohet se ka treguar një hartë sekrete në një fluturim privat

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, akuzohet se u ka treguar një hartë të klasifikuar pasagjerëve gjatë një fluturimi privat në vitin 2022 dhe se ka mbajtur një dokument tjetër tepër sekret, në të cilin kishin akses vetëm gjashtë persona në të gjithë qeverinë amerikane.

Akuza vjen nga një memorandum i dorëzuar në Kongres nga kongresmeni demokrat Jamie Raskin, anëtar kryesor në Komitetin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve. Ai e cilësoi dokumentin si “komprometues” për mënyrën se si Trump ka trajtuar materialet e klasifikuara.

Sipas memorandumit të përgatitur në vitin 2023 për prokurorin special Jack Smith, Trump dyshohet gjithashtu se ka mbajtur disa dokumente për të avancuar interesat e tij personale të biznesit.

Memorandumi nuk është bërë publik në tërësi, por Raskin ka cituar pjesë të tij në një letër drejtuar Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi. Ai deklaroi se zbulimet tregojnë se Trump ka poseduar dokumente aq të ndjeshme sa vetëm gjashtë persona në qeverinë amerikane kishin akses në to.

Dokumenti përmend se prokurorët kanë identifikuar një hartë të klasifikuar që Trump mund t’ua ketë treguar personave në bord të një avioni privat. Në mesin e tyre, sipas raportimit, ishte edhe Susan Wiles, aktualisht shefe e stafit të tij.

Çështja lidhet me hetimin federal ndaj Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga detyra. Megjithatë, një gjykatës federal e hodhi poshtë rastin, duke ngritur shqetësime për mënyrën e emërimit të prokurorit special.

Vetë Trump ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje dhe ka akuzuar Departamentin e Drejtësisë, gjatë presidencës së Joe Biden, për përdorim politik të sistemit të drejtësisë kundër tij.

Pas rizgjedhjes së Trump në vitin 2024, Jack Smith hoqi dorë nga apeli, në përputhje me politikën e Departamentit të Drejtësisë që ndalon ndjekjen penale të një presidenti në detyrë.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë dhe përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë kanë hedhur poshtë akuzat, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e Raskin dhe të vetë hetimit.

Komiteti Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve, i kontrolluar nga republikanët, ka nisur gjithashtu një hetim të veçantë mbi ndjekjen penale të Trump pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020.