Protesta e opozitës, Delegacioni i BE: Dhuna nuk justifikohet për asnjë arsye, të gjithë aktorët të distancohen prej saj

“Përdorimi i dhunës nuk mund të justifikohet për asnjë arsye dhe të gjithë aktorët duhet të distancohen prej saj”.

Kështu shprehet delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri në lidhje me protestën e opozitës më datë 22 Mars, e cila u shoqërua me momente tensioni dhe dhune.

Delegacioni i BE nënvizon se të gjithë kanë të drejtën e lirisë së tubimit paqësor, por dhuna nuk justifikohet për asnjë arsye.

Ndër të tjera në reagim nënvizohet se “opozita ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në parlament dhe në jetën demokratike të vendit, përfshirë dhe veçanërisht në kontekstin e reformave themelore”.

“Delegacioni i BE-së në Tiranë rithekson se të gjithë kanë të drejtën e lirisë së tubimit paqësor, siç parashikohet në Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së.

Përdorimi i dhunës nuk mund të justifikohet për asnjë arsye dhe të gjithë aktorët duhet të distancohen prej saj.

Delegacioni i BE-së rikujton se opozita ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në parlament dhe në jetën demokratike të vendit, përfshirë dhe veçanërisht në kontekstin e reformave themelore”, thuhet në reagim