Rama: Duhet të çojmë para ligjin e munguar për referendumet! Do të zbresim numrin e deputetëve

Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama foli për disa çështje, ndërsa u ndal edhe te ligji për referendumet.

Rama u ndal te riorganizimi i Kuvendit duke thënë se do të thërrasin shqiptarët në referendum me qëllim uljen e numrit të deputetëve,

Sipas Ramës, ligji për referendumet është një ligj i munguar duke njoftuar se brenda këtij sesioni ky ligj është i realizueshëm.

“Disa reforma të rëndësishme për të cilat duhet të flasim me njerëzit në këtë proces që nisin nga sot deri në fund të prillit dhe më pas deri në fund të qershorit që konsolidohet me përfundimin e të gjithë zgjedhjeve në PS. Kemi folur për riorganizimin e Kuvendit të Shqipërisë, 10 legjislatura kanë hyrë e kanë dalë. Ne do zbresim numrin e deputetëve dhe besoj për këtë ne jemi vonë por prapë kemi të gjithë kohën që t’i thërrasim shqiptarët në referendum dhe ndaj ne do çojmë përpara ligjin e munguar për referendumet sepse ka edhe tema të tjera që duhet ti vendosim përpara shqiptarëve dhe t’i lëmë të thonë se kush është me kë dhe kush është për cfarë. Besoj që ligji i ri për referendumet është i realizueshëm brenda këtij sesioni të legjislaturës. Së dyti kemi folur për ligjin organik për funksionimin e kuvendit, i domosdoshëm se kuvendi i ka deputetët pa status. I ka të pamjaftueshme burimet me të cilët funksionon. Nuk ka as shtëpi. Kemi thënë se duhet ta bëjmë Kuvendin me shtëpi. Këto duhen bërë tani”, tha Rama.