Ambasada amerikane ndan urimin presidencial për Fitër Bajramin

Ambasada amerikane ka ndarë mesazhin presidencial drejtuar besimtarëve myslimanë për festën e Fitër Bajramit nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale.

“Unë dhe Zonja e Parë i dërgojmë urimet tona më të mira çdo amerikani që feston Fitër Bajramin.

Fitër Bajrami, i njohur edhe si Festa e Çlirimit të Agjërimit, bashkon familjet, miqtë dhe komunitetet myslimane në nder të përkushtimit të tyre shpirtëror në përfundim të Ramazanit. Ai shërben gjithashtu si një kujtesë e parimit themelor amerikan të lirisë fetare, për të cilin Administrata ime po lufton çdo ditë.

Ju ofrojmë urimet tona më të ngrohta për një festë të bekuar të Fitër Bajramit të gjithë atyre që e festojnë”, thuhet në urimin e Presidentit Trump dhe Zonjës së Parë.

Festa e Fitër Bajramit shënon edhe mbylljen e Muajit të Shenjtë të Ramazanit, teksa ditën e sotme u bë edhe falja e Namazit në Sheshin “Skënderbej”, ku morën pjesë qindra besimtarë.