Ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca është marrë në pyetje për më shumë se tre orë nga SPAK në lidhje me abuzimet me fondet e IPARD.
Burime për mediat bëjnë më dije se Krifca është pyetur si një person në dijeni lidhur me këtë çështje.
Më herët, SPAK ka marrë në pyetje edhe Reni Ashikun, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Krifcës.
Ashiku, është administratori i kompanisë “Converse Management Consulting”, shoqëri e cila ofron shërbime konsulence edhe në fushën e agrobiznesit.
Kujtojmë se fondet e IPARD vijojnë të jenë të bllokuara për Shqipërinë, pa një afat dhe ata që e vuajnë këtë janë fermerët shqiptarë.
Në korrik të vitit 2023, Bashkimi Evropian vendosi të pezullojë këtë mbështetje për Shqipërinë, për shkak se IPARD II u përfshi në hetime nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), me dyshimet për keqmenaxhim të këtyre fondeve.
Më pas rezultatet e hetimeve iu dorëzuan autoriteteve të Brukselit, ndersa OLAF zbuloi shumë parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të shumë projekteve.