Lufta hyn në një fazë të re: Sulmet ndaj komplekseve të gazit përshkallëzojnë tensionet në Gjirin Persik

Lufta në Lindjen e Mesme ka hyrë në një fazë të re të rrezikshme, pasi Irani ka sulmuar infrastrukturën energjetike në disa vende të Gjirit, në shenjë hakmarrjeje për një sulm izraelit ndaj fushës së gazit South Pars.

Zhvillimet e fundit shënuan një përshkallëzim serioz, teksa Irani goditi herët të enjten kompleksin e gazit të lëngshëm (LNG) Ras Laffan në Katar, ndërsa raportohen edhe sulme ndaj objekteve energjetike në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Këto veprime kanë ngritur shqetësime të mëdha për furnizimin global me energji.

Sulmet vijnë në kuadër të luftës mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, e nisur më 28 shkurt, dhe pas vrasjes së ministrit iranian të Inteligjencës, Esmail Khatib, si dhe goditjes së fushës së gazit South Pars nga Izraeli një ditë më parë.

Ndërkohë që Irani ka intensifikuar sulmet ndaj vendeve të Gjirit, të cilat i konsideron objektiva për shkak të pranisë së bazave amerikane, presidenti amerikan Donald Trump ka rritur tonet, duke paralajmëruar se mund të “shkatërrojë plotësisht” fushën South Pars nëse Irani vazhdon të sulmojë Katarin.

Trump deklaroi se SHBA nuk ishte e përfshirë në sulmin ndaj kësaj fushe gazi në provincën Bushehr të Iranit dhe u përpoq të distancohej nga veprimet e Izraelit.

Nga ana tjetër, Katari, eksportuesi i dytë më i madh në botë i LNG-së, konfirmoi se sulmi iranian me raketa balistike ndaj kompleksit Ras Laffan shkaktoi disa zjarre dhe dëme të konsiderueshme, megjithëse nuk pati të lënduar.

Ministria e Jashtme e Katarit dënoi sulmin si një “kërcënim të drejtpërdrejtë” për sigurinë kombëtare dhe u kërkoi përfaqësuesve ushtarakë dhe të sigurisë iraniane të largohen nga vendi brenda 24 orëve, duke i shpallur “persona non grata”.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, autoritetet raportuan incidente në objektet e gazit në Habshan dhe në fushën e naftës Bab, si pasojë e mbetjeve të raketave të kapura. Ndërsa në Arabinë Saudite u njoftua se katër raketa balistike u interceptuan mbi Riad, si dhe një sulm me dron ndaj një impianti gazi.

Situata ka ngritur pikëpyetje të mëdha nëse vendet e Gjirit do të ndërmarrin sulme hakmarrëse ndaj Iranit, çka do të hapte një fazë të re të konfliktit.

Ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan Al Saud, deklaroi se vendi i tij ruan të drejtën për veprime ushtarake, nëse është e nevojshme, duke paralajmëruar Iranin për pasojat.

Ndërkohë, Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, zhvilloi një bisedë me presidentin francez Emmanuel Macron, ku të dy liderët e cilësuan sulmin iranian si një përshkallëzim të rrezikshëm që kërcënon stabilitetin rajonal dhe sigurinë e furnizimit global me energji.

Analistët paralajmërojnë se sulmet e Iranit kanë dëmtuar rëndë përpjekjet diplomatike në rajon dhe kanë vendosur vendet e Gjirit përballë një dileme të vështirë: të përgjigjen ushtarakisht apo të shmangin përfshirjen në një luftë më të gjerë.

Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka paralajmëruar “surpriza të tjera”, duke sinjalizuar se ofensiva kundër Iranit mund të intensifikohet edhe më tej.