Teksa në Shqipëri vijon propaganda e fjalëve nga ana e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij, duke bërë mbledhje me biznesmenët e hidrokarbureve dhe duke deklaruar se gjithçka do të monitorohet, në Itali qeveria është hedhur menjëherë në veprim.
Qeveria italiane ka miratuar një dekret të menjëhershëm për të frenuar rritjen e çmimeve të karburantit, i cili ka hyrë në fuqi që nga sot. Ky vendim parashikon një ulje prej 25 centësh për litër në çmimin e karburanteve. Masa do të jetë në fuqi për 20 ditë dhe synon të lehtësojë barrën për qytetarët dhe bizneset përballë rritjes së ndjeshme të çmimeve.
Kryeministrja Giorgia Meloni e cilësoi vendimin si një masë kundër spekulimeve dhe një ndërhyrje të menjëhershme për të përballuar kostot e larta të furnizimit me karburant.
Qeveria ka vënë në dispozicion pak më shumë se gjysmë miliardi euro për të ndalur, sipas saj, “rritjet e pajustifikuara” dhe për të kufizuar ndikimin e krizës në çmime. Megjithëse masa është e përkohshme, ekzekutivi ka lënë të hapur mundësinë e zgjatjes së saj nëse situata nuk stabilizohet.
Fillimisht u shqyrtuan edhe alternativa të tjera, si bonuse për karburant për shtresat më të dobëta, por në fund u vendos për një ndërhyrje të përgjithshme që prek të gjithë konsumatorët. Ulja e akcizës sjell gjithashtu edhe një reduktim të TVSH-së në çmimin final.
Ndërkohë, ministri Matteo Salvini kishte propozuar edhe vendosjen e një tavani për çmimet e benzinës dhe naftës, por kjo ide u hodh poshtë për shkak të vështirësive ligjore dhe ndikimit në konkurrencën e tregut të lirë.
Paketa përfshin gjithashtu forcimin e kontrolleve ndaj spekulimeve në treg dhe masa ndëshkuese për operatorët që abuzojnë me çmimet. Për sektorë të caktuar, si transporti dhe peshkimi, është rikthyer edhe krediti i taksave për të përballuar kostot e larta.
Qeveria italiane ka theksuar se do të monitorojë nga afër situatën për të garantuar që përfitimet nga kjo masë të reflektohen realisht në çmimet për konsumatorët dhe të mos përfundojnë në duart e spekulatorëve.