Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen e ish-presidentit të vendit, Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë.
Në seancën e mbajtur këtë të mërkurë, gjyqtarja Irena Gjoka ka rrëzuar të gjitha kërkesat e të pandehurve për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave.
Pas përfundimit të seancës së sotme, Monika Kryemadhi u shpreh se gjyqtarja pranoi sot se në dosje nuk ka prova dhe se gjyqi është politik sipas saj.
“Avokati është i indinjuar se kishte pritshmëri, unë nuk kisha asnjë pritshmëri te drejtësia e Edi Ramës. Tani do shohim Big Brotherin e Drejtësisë. Do ta shohin mjerimin ligjor të sistemit të drejtësisë. Një gjë të mirë bëri gjyqtarja, renditi 10 fakte që nuk i përmendi prokuroria. Akuzohem me Adrian Shatkun, por ai nuk është marrë në pyetje.
Analizën financiare e ka bërë një eksperte që dy javë pasi dorëzoi analizën, u kandidua për bordin dhe u përdor aty. Kjo është një drejtësi qesharake. Në Strasburg, zotit Meta i jep një shans të madh, edhe për të treguar miliona dollarë që janë paguar për një sistem drejtësie. Nuk jam e surprizuar, jam e bindur që është gjyq politik.
Kujtojmë se ndaj Metës dhe Kryemadhit rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Pjesë e kësaj dosje janë edhe Pirro Xhixho, i akuzuar për korrupsion, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku, të dyja të akuzuara për pastrim parash.
Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale, dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive.