Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin e plotë për pezullimin e Belinda Ballukut

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë për lënien në fuqi të vendimit të GJKKO-së, për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë.

Në vendimin e zbardhur, Gjykata Kushtetuese jep argumentet ligjore rreth konfliktit të kompetencave midis qeverisë, pushtetit gjyqësor për imunitetin e ministrit që e ndau kushtetuesen në dy qëndrime.

Kushtetuesja thotë në vendim se imuniteti i ministrit nuk përbën një privilegj individual ose një formë mbrojtjeje absolute ndaj juridiksionit penal, por një garanci funksionale të kufizuar, e cila synon të sigurojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të detyrës. Kjo garanci nuk mund të shndërrohet në pengesë për ushtrimin e ndjekjes penale ose të juridiksionit gjyqësor përtej rasteve të parashikuara shprehimisht nga Kushtetuta.

Në pikën 52 të këtij vendimi thuhet se: “Gjykata evidenton se regjimi i imuniteteve për funksionarët e lartë publikë ka ndjekur zhvillimet e vet modelit kushtetues të shtetit. Në fazën fillestare të tranzicionit demokratik kalimi nga një sistem i centralizuar në një model qeverisjeje të mbështetur në parimin e shtetit të së drejtës dhe në ndarjen e balancimin e pushteteve imponoi si domosdoshmëri forcimin e pavarësisë institucionale të pushteteve dhe organeve kushtetuese. Në këtë kontekst, imuniteti u konceptua si një garanci funksionale për të mbrojtur ushtruesit e detyrave të larta shtetërore nga presione ose ndërhyrje të padrejta që mund të cenonin autonominë e tyre në ushtrimin e funksionit. Megjithatë, me konsolidimin e rendit kushtetues dhe forcimin e institucioneve demokratike, u bë e dukshme nevoja për të thelluar standardet e përgjegjshmërisë e Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Faqe 28 llogaridhënies publike dhe garantimin e parimit të barazisë përpara ligjit. Si rrjedhojë, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, regjimi i imuniteteve ka ardhur duke u ngushtuar gradualisht, jo vetëm për deputetët e ministrat, por për të gjithë funksionarët publikë.”

Ndërsa në pikën 53 sqarohet: “Gjithashtu, Gjykata vlerëson se sistemi qeverisës, sipas Kushtetutës, mbështetet në parimin themelor të shtetit të së drejtës, i cili nënkupton se çdo ushtrues i funksioneve publike, pa përjashtim, përfshirë ministrat si anëtarë të pushtetit ekzekutiv, i nënshtrohet rendit juridik dhe mban përgjegjësi në rast të shkeljes së ligjit. Ky parim kërkon që ushtrimi i kompetencave shtetërore të zhvillohet brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta dhe ligji. Po kështu, parimi i shtetit të së drejtës lidhet ngushtësisht edhe me parimin e barazisë përpara ligjit, si një nga parimet themelore kushtetuese, sipas të cilit askush nuk gëzon privilegje ose përjashtime nga zbatimi i ligjit për shkak të funksionit që ushtron, përveçse kur ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive sipas nenit 18 të Kushtetutës. Në këtë kuptim, imuniteti i ministrit nuk përbën një privilegj individual ose një formë mbrojtjeje absolute ndaj juridiksionit penal, por një garanci funksionale të kufizuar, e cila synon të sigurojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të detyrës. Kjo garanci nuk mund të shndërrohet në pengesë për ushtrimin e ndjekjes penale ose të juridiksionit gjyqësor përtej rasteve të parashikuara shprehimisht nga Kushtetuta.”