I veshur me tuta dhe atlete sportive, kryeministri Edi Rama u shfaq ditën e djeshme te ish-vila e diktatorit Enver Hoxha, duke dënuar protestuesit që hodhën flakadanë mbi godinën që sot është kthyer në një qendër për artistët, se li e fondacionit “Art Explora”.
Ai foli për rrezikun që ata i shkaktuan artistëve të huaj dhe u kërkoi falje për shqetësimin që u ishte shkaktuar, teksa nuk harroi të hidhte akuza edhe mbi opozitën, që sipas tij është e vetmja që shkakton protesta të dhunshme.
Por ironia është e hidhur, pasi Edi Rama është i njëjti kryeministër që dha urdhrin për shembjen e Teatrit Kombëtar në orën 4 të mëngjesit, ndërsa brenda tij protestonin artistët, që nuk kërkonin asgjë më shumë se të mbrohej një ndërtesë historike, qendër e artit dhe e kulturës për dekada, simboli i identitetit dhe trashëgimisë artistike.
Policia e Shtetit u përdor për t’i tërhequr aktorët zvarrë, për t’i nxjerrë jashtë ndërtesës dhe për të lejuar shembjen e një prej godinave më të rëndësishme të artit dhe kulturës në vend. Për më shumë se pesë vjet, Shqipëria ka mbetur i vetmi vend në rajon pa një Teatër Kombëtar funksional.
Ndërsa kryeministri sot ndien dhimbje për shtëpinë e diktatorit, nuk ka treguar asnjë pendesë për humbjen e një institucioni që ka qenë shtëpia e artistëve, skena e tyre dhe vendi ku kultura shqiptare u shfaq publikisht për breza të tërë.
Ai që shemb një Teatër Kombëtar dhe lejoi dhunën mbi artistët nuk mund të shfaqet më pas si mbrojtës i një ndërtese ku ka jetuar një nga diktatorët më mizorë të historisë. Edi Rama nuk mund të qajë për shtëpinë e Enver Hoxhës, ndërkohë ka lejuar shembjen e një institucioni që i përkiste të gjithëve shqiptarëve.