Një video rrëqethëse nga Komisariati i Shkodrës ku një vajzë e vogël pret të përqafohet me të ëmën e saj e cila u arrestua nga Policia, pse po protestonte në mbrojtje të pronave të familjes në Rrjoll.
Elena është një nga qindra protestuesit e Rrjollit e cila që prej 20 ditësh teksa ka lënë Anglinë, proteston së bashku me qytetarë të tjerë kundër grabitjes së tokave të tyre, aty ku është miratuar të ndërtohet një resort turistik.
Momentet e përqafimit të së voglës me të ëmën e cila del nga Komisariati janë publikuar nga deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri i cili e quan kriminale arrestimin e një nëne, duke e ndarë nga fëmija e saj.
Kapri e ka quajtur kriminale sjelljen e Policisë së Shkodrës teksa ka bërë thirrje që Prokuroria të nisë pa vonesa hetimet për sjelljet brutale të efektivëve.
“Policë që arrestojnë nëna para fëmijëve të tyre duhet të japin llogari! I bëj thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet!”, shprehet deputeti Kapri.
Prej rreth 20 ditësh banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë kanë nisur një protestë në kundërshtim të ndërtimit të një resorti turistik në zonën ku ata pretendojnë se kanë tokat e trashëguara nga të parët e tyre dhe për të cilat thonë se zotërojnë dokumente. Ata janë përplasur çdo ditë me policinë dhe dhjetra prej tyre janë shoqëruar në Komisariat, ndërsa banorët kanë shprehur vendosmërinë se nuk do tërhiqen deri në gjetjen e një zgjidhje të drejtë për tokat e tyre.
Partia Mundësia ka qenë në përkrahje të këtyre banorëve që në ditët e para të protestës.