Hetimet ndaj Ballukut, zbardhen emrat e biznesmenëve që do të pyeten nga SPAK

Është zbardhur lista e biznesmenëve,të cilët do të merren në pyetje në lidhje me dosjen “Balluku”, ku ish-zv.kryeministrja është e pandehur nga SPAK për Tunelin e Llogarasë dhe në hetim për Unazën e Madhe.

Lista përfshin disa biznesmenë të njohur, mes tyre Ram Geci, i cili u pyet para pak ditësh në SPAK.

Ndërkohë fletë-thirrja për tu marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme pritet tu shkojë edhe biznesmenëve të tjerë, të cilët kanë zhvilluar takime apo bisedime me Ballukun.

Lista e biznesmenëve dhe zyrtarëve të ministrisë që do pyeten në SPAK është e gjatë, si Sindi Dushku, drejtoresha e Kabinetit të Ballukut, oligarku Sadik Ismailaj i “Alb-Star”, Rrok Gjoka, Pëllumb Salillari, biznesmeni Ilir Shtufi si dhe biznesmenët Gëzim Dani, Paqsor Buzi, Ylli Senka, Kujtim Arifaj e të tjerë mësohet të thiren në SPAK për të dëshmuar.

Sipas burimeve pranë prokurorisë së posaçme, emrat e tjerë të biznesmenëve që do thirren në ditët në vijim në SPAK janë Bledar Starova, Eduart Çohadari, Ardit Metaliaj, Iljan Metaliaj, Çuman Sejdiaj, Gramos Dalipi, Bledar Lloshi, Giovanni Pascale, Vladimir Pjetërgjokaj, Enea Kaçi, Basri Troci, Besmir Çako, Ervis Toska, Ergys Senka, Spartak Demiraj, Rrok Gjoka, Leonard Proko, Arbër Abazi dhe Artan Sako.

Belinda Balluku, u mor e pandehur nga SPAK më 31 Tetor të vitit të kaluar për aferën e Tunelit të Llogarasë, ndërsa është nën hetim edhe për ndërtimin e Unazës së Madhe në Tiranë.

Ndërkohë në Dhjetor të 2025-ës, SPAK kërkoi arrestimin e Ballukut, pasi e konsideron rrezik për prishjen e provave, argumentim që e dha edhe për pezullimin nga detyra.

Tashmë do t’i takojë Kuvendit të marrë vendim, nëse do të pranojë heqjen apo jo të imunitetit të Belinda Ballukut.