Hetimet për marrëveshjen 900 milionë euro, policia belge bastis zyrat e Komisionit Evropian në Bruksel

Policia bastisi ambientet e Komisionit Evropian në Bruksel të enjten, në kuadër të një hetimi lidhur me një marrëveshje të vitit 2024 për shitblerje pasurish të paluajtshme me shtetin belg, bëri të ditur një burim pranë hetimit për AFP-në.

Një zëdhënës i ekzekutivit të BE-së deklaroi se ishte “në dijeni të një hetimi në vazhdim” lidhur me shitjen e 23 ndërtesave të Komisionit dhe shprehu “besimin se procesi është zhvilluar në përputhje me rregullat”.

Me një vlerë prej 900 milionë eurosh, transaksioni u realizua në një kohë kur Komisioni synon të reduktojë hapësirat e zyrave me një të katërtën, pasi më shumë punonjës po punojnë nga shtëpia që prej pandemisë së Covid-19.

Kontrollet u kryen në ambientet e Komisionit herët në mëngjesin e së enjtes, konfirmoi burimi për AFP-në, duke vërtetuar një raportim të Financial Times.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) konfirmoi vetëm se po “zhvillon veprime për mbledhjen e provave në kuadër të një hetimi në vazhdim” që përfshin Komisionin.

Komisioni theksoi se është “i përkushtuar ndaj transparencës dhe llogaridhënies” dhe se do të bashkëpunojë plotësisht me EPPO-n dhe autoritetet kompetente belge për këtë çështje.

Pronat në fjalë janë blerë nga një fond sovran belg, i cili planifikon t’i rinovojë për t’i bërë më të qëndrueshme dhe më pas t’i rikthejë në treg si hapësira për biznese dhe banim.

Brukseli synon të transformojë Lagjen Evropiane, ku ndodhen shumica e institucioneve të BE-së, në mënyrë që ajo të bëhet më miqësore për qytetarët.

Për Komisionin, kjo shitje i shërben objektivit për të zënë më pak ndërtesa dhe për të përdorur ambiente më efikase në aspektin energjetik, duke qenë se nevoja për hapësira zyrash ka rënë pas pandemisë.

EPPO është zyra e pavarur e prokurorisë publike e Bashkimit Evropian, përgjegjëse për hetimin e krimeve që cenojnë interesat financiare të bllokut.