Arabia Saudite lejon në heshtje shitjen e alkoolit për të huajt e pasur

Arabia Saudite ka filluar në heshtje t’u lejojë banorëve të huaj të pasur të blejnë alkool, një ndryshim i madh pas një ndalimi që ka zgjatur 73 vjet. Komentatorët presin që ky lehtësim të shtrihet me kalimin e kohës edhe për turistët, raporton nga Rijadi Sameer Hashmi.

Për dekada me radhë, Lagjja Diplomatike e Riadit ka qenë e veçuar nga pjesa tjetër e kryeqytetit – një enklavë elitare me ambasada dhe rezidenca luksoze, me shëtitore të hijëzuara, gjelbërim dhe një kulturë kafenesh që tërheq si të rinj sauditë, ashtu edhe të huaj.

Tani, e fshehur brenda një kompleksi diskret, pa shenja dalluese, me ngjyrë bezhë, në këtë lagje ekskluzive, një dyqan i vogël është shndërruar në një terren testimi për një nga ndryshimet më të ndjeshme të politikave saudite – shitjen e kontrolluar të alkoolit për të huaj të pasur, jo-myslimanë.

Arabia Saudite, vendi që strehon dy vendet më të shenjta të Islamit, ndaloi shitjen e alkoolit në vitin 1952. Por si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të riformuar imazhin e saj, mbretëria ka ndërmarrë reforma të gjera sociale dhe ekonomike vitet e fundit, duke u paraqitur si një shoqëri më e moderuar dhe më miqësore për investimet.

Nën udhëheqjen e princit të kurorës Mohammed bin Salman, sunduesi de facto i vendit, Arabia Saudite ka rihapur kinematë, ka organizuar festivale të mëdha muzikore, ka hequr ndalimin e drejtimit të makinës për gratë dhe ka kufizuar fuqitë e policisë fetare, dikur shumë e frikësuar.

Por zgjerimi i heshtur i shitjeve ligjore të alkoolit konsiderohet nga shumëkush si eksperimenti më i guximshëm deri tani.

Dyqani i pijeve alkoolike u hap për herë të parë në Riad në janar 2024, por fillimisht hyrja lejohej vetëm për diplomatët jo-myslimanë. Sipas rregullave të reja, të prezantuara pa njoftim publik në fund të vitit 2025, tani edhe banorët e huaj të pasur dhe jo-myslimanë mund të blejnë birrë, verë dhe pije të forta.

Për t’u kualifikuar, një i huaj duhet ose të ketë leje Rezidence Premium – e cila kushton 100 mijë rialë sauditë (27,000 dollarë; 19,300 paund) në vit – ose të dëshmojë se fiton të paktën 50 mijë rialë në muaj.

Skema e Rezidencës Premium ka kritere të ndryshme përfitimi dhe zakonisht është e hapur për drejtues të lartë të kompanive të huaja, investitorë dhe profesionistë me aftësi të specializuara.

Si mbajtësit e lejes, ashtu edhe ata pa të, duhet të paraqesin kartën e identitetit të rezidencës pranë rojeve të sigurisë në hyrje. Në kartë shënohet feja dhe statusi i qëndrimit.

Ata që nuk kanë lejen duhet gjithashtu të paraqesin një vërtetim page ose letër zyrtare nga kompania ku punojnë. Turistët e huaj nuk lejohen të hyjnë në dyqan.

Disa klientë që kanë blerë alkool folën për BBC-në në kushte anonimiteti. Telefonat celularë mbyllen në qese të vulosura para se klientët të lejohen të hyjnë. Radha mund të zgjasë mbi një orë, por brenda procesi përshkruhet si relativisht i thjeshtë.

Një emigrant europian e përshkroi dyqanin si “të furnizuar mirë”, me çmime “dy deri në tre herë më të larta” se në tregjet perëndimore, por dukshëm më të ulëta se në tregun e zi saudit.

“Një shishe Johnny Walker Black Label më kushtoi 124 dollarë (90 paund). Nuk e kam problem ta paguaj këtë çmim,” thotë një drejtues britanik kompanie.

Blerjet e alkoolit rregullohen nga një sistem kompleks kuotash mujore me pikë, por mjaft bujar për të lejuar dhjetëra litra pije të forta për person çdo muaj. Diplomatët përfitojnë edhe zbritje.

Nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga qeveria. Disa blerës thonë se për ndryshimin kanë mësuar fillimisht “gojë më gojë”. Emri i dyqanit nuk shfaqet as në hartat online.

“Një mik thjesht ma dërgoi vendndodhjen në Google Maps,” thotë një emigrant aziatik.

Analistët thonë se paqartësia e qëllimshme e autoriteteve lidhet me ndjeshmërinë e politikës së re. Sebastian Sons, studiues i lartë në think tank-un gjerman Carpo, shprehet se autoritetet po lëvizin me kujdes: “Janë të gatshëm të bëjnë dy hapa përpara dhe një pas, nëse është e nevojshme. Me alkoolin mund të ndodhë e njëjta gjë.”

Alkooli është i ndaluar sipas ligjit islam dhe praktika fetare mbetet e fortë në pjesën më të madhe të popullsisë vendase. Megjithatë, pavarësisht ndalimit, për dekada me radhë alkooli ka qarkulluar jashtë vëmendjes publike – nga pije të prodhuara në shtëpi deri te marka të importuara – të konsumuara në festa private, në komplekse rezidenciale të mbyllura dhe në shtëpi saudite.

Një pjesë e konsiderueshme e alkoolit të markave të njohura hyn në tregun informal përmes ambasadave, të cilat prej kohësh lejohen të importojnë sasi të pakufizuara. Të tjerë i drejtohen tregut të zi, ku vazhdojnë të qarkullojnë pije të prodhuara në mënyrë të pakontrolluar dhe furnizime të kontrabanduara me çmime të larta.

Ndryshimi i politikës përkon edhe me presione ekonomike në rritje. Me tregjet e energjisë të dobëta vitet e fundit dhe financat publike nën presion, Arabia Saudite synon të tërheqë më shumë vizitorë të huaj dhe profesionistë të kualifikuar për të zhvilluar sektorë jo-naftë si inteligjenca artificiale dhe prodhimi.