SHBA pezulloi vizat e emigrimit për Shqipërinë, Spiropali udhëton drejt Kievit për të mbështetur Ukrainën dhe sulmon opozitën

Mediat amerikane raportuan dje se SHBA ka venbdosur pezullimin e shqyrtimit të vizave emigruese për 75 shtete, mes të cilave edhe Shqipëria.

Teksa pritej një sqarim më i detajuar nga Ministria e Jashtme për këtë pezullim të vizave, kjo nuk ka ndodhur.

Sot ka ardhur reagimi i parë nga ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila ka regjistruar një video teksa udhëton drejt Kievit. Ajo thotë se udhëtimi është për një vizitë zyrtare për të rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën.

Më pas, Spiropali i kthehet çështjes së vizave, ku hedh akuza për opozitën se po shpif sikur Presidenti Trump ka bllokuar vizat për Shqipërinë.

Ministrja thotë se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve, pasi qytetarët mund të udhëtojnë për qëllime turistike, si studentë, për vizita biznesi e për vizita te familjarët.

“Kam ndjekur me vëmendje gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme rrebeshin e spekulimeve politike mbi çështjen e vizave drejt SHBA. Ndërkohë që Shqipëria sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktive se kurrë, disa të udhëhumbur në Tiranë kanë vënë kujën se SHBA-të, sipas tyre, kanë ngrirë dhe bllokuar vizat për shqiptarët.

Fabula e tyre e çartur shkon aq larg, sa deklarojnë se partnerët tanë historikë dhe strategjikë, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme!

Në fakt, të dyja këto, janë fund e krye trillime politike. E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën.

Askush nuk ndalohet të udhëtojë dhe të vizitojë si turist, student, qytetar apo edhe zyrtar, por rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit”, shprehet Spiropali.