Berisha fton qytetarët në protestën e 24 janarit: Të krijojmë një front të vërtetë opozitar për të përmbysur narko-diktaturën

Ka zgjatur rreth 40 minuta “Foltorja” e Partisë Demokratike para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku.

Kreu i PD, Sali Berisha gjatë fjalës së tij përpara demokratëve tha se 2026-ta do të jetë viti i anti-diktaturave, ndërsa shtoi se Rama do të ketë fatin që meriton.

Ndërkohë kryedemokrati ftoi të gjithë qytetarët në protestën kombëtare të opozitës më 24 janar.

“Të dashur miq, opozita shqiptare ka vendosur të thërrasë një protestë me datën 24 janar, në të cilën të japim mesazhet e qarta, përfundimtare Edi Ramës.

Hiq dorë nga grushti i shtetit, prano ligji dhe Kushtetutën, përndryshe do të nxjerrim ne jashtë ligjit, jashtë Kushtetutës.

Ndaj dhe me 24, të gjithë në këtë shesh për të treguar fuqinë e bashkimit të shqiptarëve, fuqinë e guximit të shqiptarëve, vizionin ne tyre, shpirtin e pamposhtur të popullit opozitar.

Të dashur miq, këto ditë që na ndajnë është jetike që secili prej nesh të ulet rrafsh, të bisedojë me çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij politike.

Të bashkohemi, të bisedojmë me çdo intelektual, pavarësisht nga qëndrimet e tij, të dalë nga konformizmi, të harrojë se konformizmi është sëmundja më e tmerrshme e një intelektuali.

Se konformizmi nuk i lejon atij të përmbushë misionin e madh para qytetarëve, para popullit të tij.

Të bëjmë gjithçka për një front të vërtetë opozitar, i cili të përmbysë diktaturën e autokratit, e kleptokratit, Edi Rama, narkodiktatorit të parë dhe të vetëm në Europë.

I bëj thirrje të rinjve të ngrihen në lartësinë e misionit të shenjtë, hyjnor.

Gjenerata e tyre është gjenerata e misioneve të mëdha.

Gjenerata e tyre po përbys diktatura dhe epoka.

Ndaj dhe ftoj çdo të ri të këtij vendi të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij dhe me guximin, energjinë të bëjë çdo gjë për largimin e këtij regjimi armiqësor ndaj shqiptarëve”- u shpreh Berisha.