VIDEO/ Vlora thahet, Bashkia feston! Qyteti 5 ditë pa ujë, revolta e banorëve i prishi festën Bashkisë

Prej 5 ditësh qytetarët e Vlorës po përballen me mungesën e ujit të pijshëm, teksa organet vendore thonë se kjo ka ardhur si pasojë e një defekti të rëndë në tubacion.

Por, teksa vlonjatët po “thaheshin” për ujë, Bashkia e Vlorës ka menduar që të organizojë festën e fundvitit për punonjësit në ambientet e teatrit “Petro Marko”.

Kjo ka sjellë edhe revoltën e qytetarëve, të cilët protestuan fillimisht jashtë dhe më pas u futën brenda ambienteve të teatrit, duke ndërprerë shfaqjen.

Me bidona në duar dhe thirrje “duam ujë”, qytetarët u përplasën edhe me policinë, me këta të fundit që shoqëruan disa prej tyre.

Por protesta e banorëve nuk ka marrë fund, pasi ata kanë paralajmëruar se sot në orën 10:00 do të zhvillojnë një tjetër protestë para Bashkisë.