Olta Xhaçka paraqitet në SPAK

Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë  e Posaçme.

Ende nuk dihet arsyeja e thirrjes së saj në SPAK, teksa kujtojmë se ajo dhe bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, kanë qenë nën hetim për përfitimin e mijëra metër katrorë tokë në Gjilekë të Himarës përmes falsifikimit të dokumentave.

Padia u bë nga Fredi Beleri, që akuzonte Olta Xhaçkën se duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë.

Xhaçka nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore.

Artan Gaçi përfitoi 10 mijë m2 tokë përmes falsifikimit të dokumenteve, për të ndërtuar resortin “Dreamades Luxury Suites”. Në ndihmë i ka ardhur edhe ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, i cili u dënua me 3 vite e 1 muaj burg nga GJKKO lidhur me këtë çështje.

Por si e tjetërsoi Artan Gaçi tokën në Gjilekë, ku më pas fitoi edhe statusin e investitorit strategjik?

Sipas padisë, trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli kishin trashëgimi 1000 metër tokë, por duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, e kanë shtuar tokën e tyre edhe me 4500 metra të tjerë në Gjilekë dhe ia kanë shitur Artan Gaçit.

Gjithçka është bërë edhe me nënshkrimin e ish-kryebashkiakut Jorgo Goro, i cili ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi.

Pas të gjitha këtyre veprimeve të kundraligjshme, Artan Gaçi mundi të përfitonte statusin e investitorit strategjik. Ndërkohë, në kundërshtim me ligjin është edhe Olta Xhaçka, pasi Gaçi e ka përfituar statusin në kohën kur ajo ishte Ministre e Jashtme.