Pse SPAK kërkoi arrestimin e Ballukut? Zbardhet relacioni: Presion dëshmitarëve, dyshohet se paracaktoi fituesit edhe në 3 tendera të tjerë

“Zv. Kryeministrja Belinda Balluku duhet të arrestohet për shkak se situata penale I është rënduar, është e dyshuar se manipuloi të paktën 11 tendera dhe rrezikon që të kryejë krime më të rënda për shkak të personalitetit të saj”.

Me këto argumente Prokuroria e Posaçme i bëri kërkesë Kuvendit për heqjen e imuniteti për numrin dy të qeverisë.

Në relacionin e dorëzuar Kuvendit, SPAK thotë se përmes metodave speciale të hetimit ka zbuluar se Balluku i ka bërë presion një prej vartësve të saj, edhe pasi është marrë e pandehur dhe ende nuk ishte pezulluar nga detyra, bën me dije Report Tv.

Në relacion SPAK rendit 11 tendera për të cilat Balluku po hetohet ndërsa dyshohet se ka përcaktuar fituesit edhe të 3 tenderave të tjerë: Thumanë-Kashar 245 milionë euro, Porto Romano-Durrës 12 milionë euro dhe mirëmbajtja e akseve të veriut me vlerë 440 mijë euro.

Ndër të tjera SPAK thotë që kërkesa për imunitetin e Ballukut të shqyrtohet me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.

“Nga aktet e administruara rezulton se në lidhje me zhvillimin e procedurave të prokurimit të sipërcituara, shtetasja Belinda Balluku duke qenë në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurat e prokurimi publik të zhvilluar nga Institucioni në varësi të kësaj Ministrie, Autoriteti Rrugor Shqiptar, që në fazën përgatitore, gjatë zhvillimit të procedurës, në fazën e dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, me qëllim favorizimin e operatorit ekonomik fitues të këtyre procedurave të prokurimit publik. Në lidhje me këto procedura prokurimi të tjera, janë evidentuar veprime të kundraligjshme të shtetases Belinda Balluku, nën cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi, të cilët kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorët fitues të procedurës së prokurimit. respektivisht për: operatorin ekonomik Salillari sh.pk, bashkimin e operatorëve ekonomikë 44- sh.pk, “IDK konstruksion” sh.pk, “ED konstruksion” sh.pk.; operatorin ekonomik “Alh-Sur sh.pk; bashkimin e operatorëve ekonomike “GPG Company” sh.pk dhe “Senka sh.pk, operatorin ekonomik “Gjoka Konstruksion sha, bashkimin e operatorëve ekonomike Alko-Impex General Construction” sh.pk dhe “27” sh.pk,duke vepruar në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020″, thotë në relacion SPAK për tenderat e 7 loteve të Unazës së Madhe,

Këtë të enjte, Gjykata e Apelit të GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë që shkalla e parë ka vendosur për Belinda Ballukun dhe dy vartësve të saj, krerët e ARRSH dhe KESH, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

Në vendimin e Apelit, Ballukut i ndalohet dalja jashtë vendit, si e vetmja masë që i ka ngelur, pasi pezullimi nga detyra u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.