Një makinë është përfshirë nga flakët këtë të hënë në Llogara, ndërsa një person ka humbur jetën.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se si pasojë e flakëve ka humbur jetën drejtuesi i makinës, i cili nuk ka arritur të dalë dot nga automjeti. Viktima nuk është identifikuar ende, ndërsa mjeti është shkrumbuar totalisht.
Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, por zjarrfikësja dhe policia janë në vendngjarje.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Informacion paraprak. Rreth orës 14:35, pas një njoftimi të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendit të quajtur “Qafa e Llogarasë”, ku kanë konstatuar një automjet duke u djegur. Brenda automjetit dyshohet se si pasojë e zjarrit, ka humbur jetën dhe është djegur një shtetas ende i paidentifikuar, në sediljen e drejtuesit të mjetit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për identifikimin e viktimës dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.