Presidenca në “silent mode”!

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe! Një tjetër ligj i rëndësishëm dhe shumë i debatuar është miratuar në heshtje, pasi Presidenti Bajram Begaj nuk ka marrë sërish guximin ta firmosë apo ta kthejë në Parlament.

Ligji për Barazinë Gjinore, që u ndryshua në momentet e fundit nga mazhoranca e u miratua me 77 vota pro e 36 kundër, është miratuar në heshtje pasi përfundoi afati kushtetues.

Deputetët e opozitës i bënë thirrje Presidentit Begaj që të mos e dekretonte, por ky i fundit ka treguar se në politikë i bindet vetëm një njeriu, kryeministrit Edi Rama.

Ky nuk është rasti i parë që Presidenca qëndron në “silent mode” për sa i përket këtyre ligjeve. Bajram Begaj është Presidenti që mashtroi studentët e Mjekësisë, duke u thënë se do ta diskutojë ligjin që i detyronte ata të punojnë 5 vite në Shqipëri përpara se të merrnin diplomën, por e miratoi në heshtje këtë ligj, ashtu siç miratoi edhe ligjin për kultivimin e hashashit.

Lexo edhe: Gjenerali që u kthye në ushtar

Presidenca është e heshtur edhe në rastet kur Presidenti firmos me dorën e tij dekretet, siç është rasti i dekreteve të që lidhen me ishullin e Sazanit. 

Në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike që i hap rrugë negociatave mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë së Jared Kushner për investimin në Sazan përmenden edhe dy dekrete të presidentit Bajram Begaj, nëpërmjet të cilave ai ka vendosur për heqjen e ishullit nga Plani i Vendosjes dhe i Përhapjes së ushtrisë, raportoi Lapsi.al.

Plani i Vendosjes dhe i Përhapjes është një dokument që përmban zonat që shfrytëzojnë Forcat e Armatosura për misionin e tyre, në kohë krize, paqeje apo lufte. Ishulli i Sazanit ishte pjesë e kësaj zone dhe meqënëse ai do t’i kalojë së shpejti kompanive private për të realizuar investimin e resortit turistik, duhej që presidenti ta nxirrte nga Plani i Vendosjes dhe i Përhapjes së Forcave të Armatosura me një dekret.

Për të mos folur për dekretimet në kundërshtim me Kushtetutën siç ishte ai i zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, apo ligjet që dëmtojnë interesat e shqiptarëve, siç është ai i investimeve strategjike.

Presidenti që e pi kafen pa sheqer se është i ëmbël vetë po tregon çdo ditë e më shumë se nuk është asgjë tjetër veçse një gjeneral që është kthyer në ushtar jo për të mbrojtur vendin, por për të ruajtur pushtetin e dikujt tjetër.

Begaj ka edhe dy vite deri në përfundim të mandatit e dekretet e qeverisë do të firmosen pa asnjë hezitim. Fundja, nuk ëhstë se ka bërë gjë tjetër deri më sot!

Aaa, po, është shfaqur në festat e birrës e të qofteve!