Pezullimi i Ballukut, rrëzohet kërkesa e PD-së për interpelancë me kryeministrin Rama

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi nuk ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, pas pezullimit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Në nisje të seancës, Peleshi tha se objekti i kërkesës për interpelancë është në Gjykatë Kushtetuese dhe duhet të pritet vendimi i saj. 

Ndërkohë kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi prezencën e Ramës në Kuvend, që ky i fundit të japë llogari për skandalin ku është përfshirë numri dy i qeverisë. 

“Kemi kërkuar që kryeministri të vijë të japë llogari se cili është motivi, dhe pse është bërë kryeministri i parë që ndërhyn në një çështje konkrete dhe ka kërkuar në emër të Këshillit të Ministrave shfuqizimin e vendimit të gjykatë kundër korrupsionit për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese ndaj të pandehurës Balluku. Ç’punë ka kryeministri që shndërron institucionin e Kryeministrit në avokatin ndaj një të pandehure. Ai  e pranon përmes kërkesë që ka çuar që është bashkëfajtor me Ballukun dhe do të duhet të ishte marr bashkë i pandehur me Ballukun. Urdhëruesi i aferës së Llogarasë është Rama dhe lidhjen me kompaninë turke e ka bërë Rama”, tha Bardhi.

Më pas kërkesa e PD kaloi për votim, ku 74 deputetë votuan kundër dhe vetëm 17 ishin pro për mbajtjen e interpelancës.

Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.

Ndërsa për Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH dhe Erald Elezin, administrator i KESH, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Gjykata vlerësoi se masat ndaj Ballukut, pezullim detyre dhe ndalim për të dalë jashtë vendit dhe arrest shtëpie ndaj vartësve të saj janë vënë pasi ekziston rreziku që të pandehurit të largohen.