Arrestimi i të dyshuarit për vrasjen e biznesmenit në Elbasan, policia njoftim zyrtar

Policia ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e Nevzat Spahos, i cili dyshohet se është ekzekutori i biznesmenit Mondi Mëhalla.

Spaho është një person me me precedent të theksuar kriminal në disa fusha, teksa është vënë në pranga për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ditën e djeshme Policia arrestoi edhe Xhino Agon, i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtor në vrasje, pasi i ka dhënë automjetin njërit prej autorëve. Gjithashtu u vu në pranga edhe roja i karburantit, Kujtim Pisha, për moskallëzim krimi. Ndërkohë në kërkim janë shpallur Marselo Arani dhe Armando Kola.

Mondi Mëhalla u qëllua për vdekje pak momente paso kishte hipur në mjetin e tij tip “Range Rover”, në afërsi të karburantit “Xhaxhi Oil” që ishte në pronësi të tij.

Njoftimi i Policisë:

Vijon operacioni policor i koduar “Strike”, me objektiv identifikimin, kapjen dhe individualizimin e përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të përfshirë në vrasjen e shtetasit M. M. alias E. H..

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, është identifikuar dhe kapur një bashkëpunëtor i dyshuar në këtë krim.

I arrestuari, me precedent të theksuar kriminal në disa fusha, ndër to, për tentativë për vrasje.

Sekuestrohen 1 automjet, 1 celular dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Në vijim të veprimeve operacionale të kryera në bazë dhe për llogari të hetimeve intensive që po kryhen për të dokumentuar ligjërisht autorësinë dhe rrethanat e vrasjes së kryer më datë 30.11.2025, në ambientin e jashtëm të një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit:

-N. S., 29 vjeç, banues në Prrenjas, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas kishte precedent penal për tentativë për vrasje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me anë të kanosjes/dhunës për dhënie të pasurisë, si dhe për vjedhje.

Ndërkaq, nga hetimet e deritanishme dyshohet se ai është përfshirë në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 30.11.2025, në ambientin e jashtëm të një karburanti në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku u vra me armë zjarri, shtetasi M. M. alias E. H..

Hetimet vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.