Berisha sfidon Ramën: Hajde në debat dhe trego se ku i ka “Venecia” vendimet për aktet e pezullimit

Kryedemokrati Sali Berisha ka sfiduar kryeministrin Edi Rama për të dalë në debat dhe të tregojë se ku i ka nxjerrë vendimet e Komisionit të Venecias për aktet e pezullimit të zyrtarëve.

Berisha iu referua deklaratës së Ramës një ditë më parë, me kreun e qeverisë që tha se “Venecia” e thotë qartë se gjyqësori nuk ka asnjë kompetencë të ndërhyjë në përbërjen e ekzekutivit, pasi kemi të bëjmë me një shkelje të balancës së pushteteve dhe rrezik serioz institucional.

Për Berishën, vendimi i nesërm i Gjykatës Kushtetuese është përcaktues për të shpëtuar Kushtetutën, teksa tha se uron që Gjykata të mos bjerë viktimë e presioneve.

“Është një moment kritik. Është një moment kur një vendim gjykate do të ishte përcaktues për të shpëtuar Kushtetutën. Hajde dalim sot në media dhe të nxjerr se ku i ka vendimet e Venecias kundër pezullimeve. Hajde shkojmë në debat, dhe të tregojë se ku i ka këto aktet e pezullimit. Pra, unë uroj që Gjykata të mos bjerë viktimë e presioneve të gjithanshme mafioze. Po bëhen presione të jashtëzakonshme, po bëhen ditën. Çdo tezë e vënë nga Rama, nuk është e vërtetë”, tha Berisha.