Është ndarë nga jeta në moshën 52 vjeçare Ipeshkvi i Dioqezës së Sapës, Imzot Simon Kulli.
Burime për mediat bëjnë me dije se Imzot Simon Kulli ka pësuar arrest kardiak mëngjesin e sotëm dhe për pasojë ndërroi jetë.
Simon Kulli u emërua në vitin 2016 si administrator i dioqezës së Sapës në Vau Dejës, ndërsa në vitin 2017 Papa e emëroi Ipeshkëv të asaj dioqeze.
Simon Kulli zëvendësoi në detyrë Imzot Luçiano Avgustinin, i cili po ashtu u nga jeta në mënyrë të parakohshme pas një sëmundje të rëndë.
Kisha Katolike e Shqipërisë pritet që të dalë me njoftim zyrtar për ceremoninë e varrimit dhe më pas do të mendohet për drejtuesin e ri të kësaj dioqeze.
Simon Kulli shërbeu me shumë përkushtim për 9 vite me radhë duke ia kushtuar jetën Zotit si dhe besimtarëve.
Kush ishte Ipeshkvi i Sapës?
Simon Kulli lindi më 14 shkurt 1973 në fshatin Pistull të Dioqezës së Sapës. Fshat ky, 20 km nga Shkodra. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në fshatin Pistull.
Më 2 shkurt 1992 hyri në Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, dhe kryen dy vite parapërgatitje për fillimin e studimeve filozofike e Teologjike.
Në vitin 1994 filloi studimet e Filozofisë; pas dy viteve, në vitin 1996 filloi studimet e Teologjisë, ndërsa me 14 shtator të vitit 1999 u shugurua diakon në Katedralen e Shkodrës.
Gjatë periudhës së diakonatit, nga shtatori deri në Janar të vitit 1999 shërbeu në Katedrale të Shkodrës me famullitarin Dom Lucjan Avgustini, dhe nga janari i vitit 2000 deri në qershor shërbeu në Dajç të Zadrimës me dom Injac Dema Vikari Gjeneral i Dioqezës.
Më 29 qershor të vitit Jubilar 2000, u shugurua meshtar po në Katedralen e Shkodrës së bashku me katër meshtarë të tjerë shqiptarë nga Imzot Angelo Massafra. Këta janë shugurimet e para meshtarake që u shuguruan pas 46 viteve të regjimit komunist në Shqipëri.
Pas shugurimit meshtarak, menjëherë u emërua në Dajç të Zadrimës dhe shërbeu si ndihmës famullitar pranë Mons. Injac Demës, e njëkohësisht ishte dhe Sekretar i Ipeshkëvit të Dioqezës së Sapës, në atë kohë, Imzot Dodë Gjergjit. Në Dajç shërbeu nga viti 2000-2002. Në vitin 2002, dom Simoni u emërua Kancelar Dioqezan i Sapës.
Prej vitit 2006 e deri para vdekjes ka ushtruar detyrën e Famullitarit të Katedrales “Shën Tereza e Kalkutës” – Vau-Dejës. Nga viti 2001 deri në vitin 2012 kreu detyrën e Drejtorit të Caritasit Dioqezan të Sapës. Po nga viti 2010 deri më 25 maj ushtroi deyrën e Delegatit të Caritasit Dioqezan, si edhe detyrën e Vikarit Gjeneral dhe Ekonomit të Dioqezës së Sapës.