Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është pyetur sot në lidhje me takimin e zhvilluar dje mes më të votuarve në listat e hapur të kësaj force politike në zgjedhjet e 11 Majit, përfshirë edhe ish-deputetin Ervin Salianji.
Berisha tha se takimet në kafe nuk meritojnë të komentohen, ndërsa shtoi se njerëzit më të votuar janë në Parlament.
Sipas kryedemokratit, mendim ndryshe në parti ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, duke mos komentuar më shumë takimin që u zhvillua në një prej hoteleve të kryeqytetit dhe që zgjati rreth tre orë.
“Normalisht takimet në kafe nuk meritojnë komente, por PD është partia më e hapur dhe demokratike e këtij vendi për çdo lloj mendimi, ideje dhe kaq mund të them.
Procesi i analizës së brendshme ka nisur, janë bërë gjithë udhëzimet. Kjo nuk përbën asnjë lajm dhe risi, thjesht mediat e përdorin këtë për të mbuluar superskandalet e Ramës dhe Lubisë. Diversitet mendimi në këtë parti ka patur dhe do ketë”– u shpreh Berisha.
Takimi i djeshëm u udhëhoq nga Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti, dy figura të mbështetura fort nga baza demokrate, teksa së bashku me ta kanë qenë edhe Gentian Cela, Qani Xhafa, Aulon Kalaja, Ted Kopliku, Alma Kore, Parid Mahmutaj, Xhemajl Gjunkshi, Hysen Kadiu e një sërë emrash të tjerë.