Shqipërinë nuk e kanë ndryshuar as politikanët e as vendet partnere, e kanë ndryshuar vetë shqiptarët!
E kanë ndryshuar shqiptarët duke marrë në dorë fatin e tyre. Nga lufta deri te shembja e komunizmit, historia na tregon se populli ka fuqinë për të kërkuar të drejtat e tij, dhe protesta e studentëve të Dhjetorit ’91 është dëshmi e qartë e këtij fuqie.
Por shqiptarët e kujtojnë akoma edhe protestën e 21 Janarit, ku dhjetëra mijëra qytetarë dolën për të protestuar kundër korrupsionit të pushtetit.
Një video e Ilir Metës mjaftoi atëherë që populli të rebelohej dhe të dilte në rrugë duke kërkuar llogari. Nuk ishte një protestë e çfarëdoshme, ishte një shenjë se shqiptarët ende besonin se zëri i tyre kishte peshë, se padrejtësia duhej sfiduar dhe korrupsioni nuk mund të pranohej.
E për të mbrojtur të drejtat e tyre, në mes të Tiranës ranë edhe 4 “Dëshmorë të Atdheut”, por për fat të keq edhe pse kanë kaluar 15 vite, ende nuk janë gjetur se kush i vrau ata që dolën për një Shqipëri më demokratike.
Po sot?
Teksa diskutohet kudo për provat që dalin çdo ditë për tendera me kosto të fryra e të dyshimtë, për koncesione të pafundme në duart e oligarkëve, për kulla që ngrihen me lekë të dyshimta, për deputetë e ministra të përfshirë drejtpërdrejt në korrupsion, shoqëria është e heshtur, e mpirë.
Tuneli i Llogarasë është vetëm skandali i radhës i atyre që kanë kaluar në heshtje e atyre që do vijnë. Për këtë aferë flitet përditë në portale e studio televizive, pasi SPAK ka zbuluar grabitjen e mbi 50 milionë eurove nga buxheti i shtetit, por sërish rrugët janë bosh.
Nuk ka protesta dhe as presion të qytetarëve mbi pushtetin që vijon të abuzojë prej vitesh!
Nuk po flasim për t’iu bashkuar protestës së opozitës, pasi këta të fundit protestojnë kur kanë interes dhe heshtin për afera të tjera kur iu cënohen oligarkë që i mbajnë me para’. Flasim për një protestë qytetare, ku secili të protestojë kundër korrupsionit galopant që ndodh në këtë vend.
Belinda Balluku ka dalë në përgjime se si ndan tenderat dhe sa dhjetëra miliona euro i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, dhe jo vetëm që nuk është arrestuar, por po tentohet të rrijë në pushtet, se ndoshta i kanë mbetur edhe disa tenderë të tjerë pa shpërndarë.
Dhe çfarë bëjmë ne? Presim të dalin raste të tjera korrupsioni për t’i komentuar te kafeneja e lagjes, pa kuptuar se pushtetarët tanë po marrin miliardat tona. Ne heshtim, dhe kjo heshtje ngre një pyetje të hidhur:
A e ka humbur shoqëria jonë aftësinë për t’u revoltuar? Apo thjesht është lodhur, dorëzuar, dhe mësuar me idenë se korrupsioni është i pashmangshëm?
Qeveria e ka kuptuar shumë mirë se heshtja e shoqërisë është garancia më e mirë për mbijetesën e saj politike. Sot, pushteti qeveris me një arrogancë të madhe, me një bindje se gjithçka mund të kalohet me propagandë, me inaugurime, me fjalë të bukura dhe premtime të vjetra që riciklohen si të reja.
Por, nëse miliona euro të taksave tona zhduken në tendera të dyshimtë, në projekte të fryra, në kontrata anonime, dhe askush nuk reagon, problemi nuk është vetëm te politikanët.
Problemi është te ne shqiptarët, që kemi normalizuar padrejtësinë dhe korrupsionin. Një shoqëri që hesht para abuzimeve, korrupsionit dhe para mungesës së transparencës, nuk është shoqëri që ecën përpara, është një shoqëri që pranon të fundoset dalëngadalë.
Koha ka treguar se ndryshimi nuk vjen vetë. Ai vjen kur qytetari ngrihet, kur shoqëria refuzon të jetë vetëm spektatore e cirkut politik, kur frika kthehet në guxim dhe guximi në veprim.
Dikur protestuam sepse besuam se duhej, ndërsa sot heshtim sepse kemi humbur shpresën. E për fat të keq, kjo heshtje është arma më e fortë e korrupsionit.
Tani është koha të mos presim më, por të rimarrim në duar fatin tonë dhe të tregojmë se një shoqëri që nuk pajtohet me padrejtësinë, nuk mund të mposhtet.
Koha ka ardhur që heshtja të marrë fund!