Është shtyrë për më datë 5 dhjetor seanca paraprake në GJKKO ndaj ish-presidentit të vendit, Ilir Meta, i cili ndodhet në burg që prej tetorit të kaluar.
Ndërkohë mësohet se Meta ka forcuar mbrojtjen e tij në Gjykatën e Posaçme, duke marrë një avokat të dytë, konkretisht Gylsen Zhllima. Ky i fundit ka kërkuar kohë që të njihet me aktet e dosjes, duke bërë që seancë të shtyhet për javën e ardhshme.
Kujtojmë se kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta la qelinë e 313-ës dhe u paraqit në seancën e kësaj të enjteje. Avokati Kujtim Cakrani, në një komunikim me gazetarët jashtë dyerve të gjykatës, tha se Meta do të jetë i pranishëm në çdo seancë.
““Meta do të jetë në çdo seancë, ai kërkon që të përballet dhe padyshim do jetë në çdo seancë për të dëgjuar çdo pretendim dhe do japë cdo përgjigje dhe do bëjë çdo parashtrim për akuzën që është ngritur. Meta nga sot do jetë i pranishëm në cdo seancë.
Meta ka patur qëndrim korrekt, është i relaksuar, ndoshta palestra dhe shkrimi që po bën për librin që do nxjerrë e ka relaksuar. Pa dyshim edhe prezenca e avokatit e ka relaksuar”, tha avokati i tij, Kujtim Cakrani pas seancës.
Meta akuzohet për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”. Në seancat e mëparshme, ai ka zgjedhur të mos jetë i pranishëm, ndërsa përmes avokatit ka pretenduar se nuk ekzistojnë kushte ligjore për vazhdimin e arrestit.