Greqia shpall “non grata” gazetarin Artan Hoxha

Gazetari i njohur investigativ, Artan Hoxha, është shpallur “non grata” nga Greqia, për shkak se konsiderohet si kërcënim për rendin publik dhe sigurinë e brendshme në vendin fqinj.

Ai është ndaluar të hyjë në territorin grek ditën e djeshme, kur ka qenë duke udhëtuar drejt qytetit të Janinës. Policia greke e ka ndaluar në pikën kufitare të Kakavijës dhe i ka marrë pasaportën, duke e mbajtur për rreth 1 orë në policinë greke, derisa i kanë komunikuar vendimin.

Autoritetet greke i kanë vendosur kryq në pasaportë mbi vulën e policisë greke, duke i kërkuar të largohet menjëherë nga territori grek. Atij iu komunikua se ky vendim është marrë në fillim të vitit 2024.

Në vendimin që policia greke i ka dorëzuar gazetarit Hoxha, thuhet se:
1) është karakterizuar si person i padëshirueshëm.
2) konsiderohet person i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendëshme, për shëndetin publik ose marrdhëniet ndërkombëtare të një ose shumë shteteve të Bashkimit Europian.

Artan Hoxha njihet për qëndrimet dhe denoncimet publike ndaj Fredi Belerit  në “Masakrën e Peshkëpisë” në vitin 1994, ku mbetën të vrarë dy Dëshmorë të Atdheut, komandanti Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini.

Gjithashtu ai ka publikuar investigime dhe dokumentarë në lidhje me aktivitete të ndryshme që bëhen në dëm të interesit kombëtar shqiptar, nga  skandali i ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë në territorin e Shqipërisë, te skandali i zhvarrimeve të eshtrave të fshatarëve të Kosinës për t’i paraqitur ata, si martirë të ushtrisë greke të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.

Por ky nuk është rasti i parë që Greqia shpall “non grata” gazetarët shqiptarë. Më herët shteti grek ka cilësuar të “padëshirueshëm” Marin Memën, për shkak se ky i fundit trajtonte çështjen çame dhe nxirrte në pah abuzimet që kanë ndodhur në vite me pronat e shqiptarëve të Çamëtisë.