Zyrtarë amerikanë, ukrainas dhe europianë takohen në Gjenevë mes polemikave për planin e paqes

Zyrtarë të lartë nga SHBA-ja, Ukraina dhe vendet europiane pritet të takohen në Gjenevë për të diskutuar hapat e ardhshëm drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërsa aleatët e Kievit po përpiqen të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët ndaj planit 28-pikësh të administratës së presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas planit, Kievi ka afat deri të enjten për të dhënë përgjigje. Propozimi ka shkaktuar kritika të forta, pasi parashikon lëshime të mëdha ndaj Rusisë, përfshirë dorëzimin e disa territoreve, kufizime të mëdha për ushtrinë ukrainase dhe heqjen dorë nga synimi për t’u anëtarësuar në NATO, pika që përkojnë me kërkesat e njohura të Kremlinit.

Liderë perëndimorë dhe europianë, të cilët u takuan në margjinat e samitit të G20-s në Afrikën e Jugut, mirëpritën përpjekjet diplomatike, por theksuan se plani është ende “draft fillestar” që “kërkon shumë punë shtesë”. Në deklaratën e tyre ata nënvizuan se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë dhe paralajmëruan se kufizimet e propozuara për ushtrinë ukrainase do ta linin vendin të pambrojtur ndaj agresioneve të së ardhmes.

Para nisjes së takimeve në Gjenevë, Trump la të kuptohej se afati i tij mund të mos jetë përfundimtar, duke deklaruar se propozimi “nuk është oferta e fundit”. I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk e pranon planin deri të enjten, ai u përgjigj: “Atëherë mund të vazhdojë të luftojë sa të dojë.”

Në bisedimet e së dielës pritet të marrin pjesë Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm Steve Witkoff, me synimin për të harmonizuar formulimet përpara takimit të pritshëm mes Zelenskyt dhe Trump-it. Edhe këshilltarët e sigurisë kombëtare të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë do të jenë të pranishëm në bisedime me homologët ukrainas dhe amerikanë.

Diplomatë europianë kanë paralajmëruar se çdo marrëveshje e ardhshme nuk mund të njohë pushtimin rus, teksa vija aktuale e kontaktit duhet të shërbejë vetëm si pikë nisjeje. Ata theksuan se Ukraina nuk duhet të detyrohet të heqë dorë nga e drejta për të zgjedhur aleancat, të kufizojë forcat e armatosura apo të pranojë kërkesa të tërthorta të Rusisë për arkitekturën e sigurisë europiane.

Kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi se do të zhvillojë një bisedë me Zelenskyn për të diskutuar mbi situatën dhe planin e paqes, ndërsa takimet për një diskutim të veçantë mes delegacioneve amerikane dhe ruse janë në përgatitje, por nuk do të zhvillohen në Gjenevë. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar më herët se plani amerikan mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje përfundimtare.

Zelensky konfirmoi përgatitjet për bisedimet duke thënë se ka firmosur vendimin për përbërjen e delegacionit ukrainas. Ai theksoi se përfaqësuesit e vendit e dinë si të mbrojnë interesat kombëtare dhe të parandalojnë një tjetër agresion rus. Presidenti ukrainas ka përsëritur se do të kërkojë çdo rrugë drejt paqes pa tradhtuar vendin e tij.

Takimi në Zvicër zhvillohet pak përpara mbledhjes së paralajmëruar të liderëve të BE-së të hënën, e shpallur nga presidenti i Këshillit Europian, António Costa.