Regjistrohet viktima e parë nga moti i keq, 76-vjeçarja mbytet në përroin e fshatit

Është regjistuar viktima e parë në vend për shkak të motit të keq. Mëngjesin e kësaj të shtune është gjetur e pajetë 76 vjeçarja Flora Hoxha në Devoll, e cila një ditë më parë ishte larguar nga banesa e saj.

Ajo kishte dalë nga banesa pas përmbytjeve në fshatin Proger, ndërsa dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit dhe për pasojë është mbytur.

E moshuara vuante nga demenca, siç informojnë familjarët, të cilët ngritën edhe alarmin për zhdukjen e 76 vjeçares.

Për gjetjen e trupit u angazhuan forcat e policisë, zjarrfikësit dhe emergjencave civile dhe vetëm mëngjesin e sotëm është bërë e mundur gjetja e trupit të saj.