Rama nuk humb kohë, çon në Kushtetuese vendimin e GJKKO për Ballukun

Kryeministri Edi Rama nuk ka humbur kohë dhe këtë të premte ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e GJKKO për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Balinda Balluku.

Kryeministria kërkon që vendimi i dhënë në GJKKO të konsiderohet antikushtetues.

Kryeministri Rama deklaroi sot gjatë konferencës së përbashkët me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, se për momentin, qeveria e Shqipërisë nuk ka një z.kryeministër dhe një ministër të Infrastrukturës dhe Energjetikës .

Megjithatë ai po ashtu tha se vendimin e marrë nga GJKKO për pezullimin nga detyra do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë sulmoi Gjykatën e Posaçme dhe SPAK.

Sipas tij nuk ka ndodhur në asnjë vend që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen “kokë më kokë” dhe të pezullojnë një anëtar qeverie, duke e cilësuar si një rast unikal në historinë e Europës. Madje sipas tij, është ndërhyrje brutale në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv

Ndërkohë burime për mediat bëjnë me dije se qeveria i ka hequr Ballukut edhe të drejtën e firmës, pasi janë njohur me vendimin e gjykatës, një ditë më parë. Po ashtu, Balluku nuk mund të shkojë në zyrën e saj në Kryeministri.