Dokumente të reja të publikuara nga Kongresi amerikan tregojnë se financieri dhe i dënuari për abuzim seksual, Jeffrey Epstein, ka shkëmbyer mesazhe në vitin 2018 me Thorbjorn Jagland, ish-sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, lidhur me mundësinë e kontakteve me zyrtarë të lartë rusë.
Në një email të datës 24 qershor 2018, Epstein i shkruante Jagland-it:
“Mendoj se mund t’i sugjerosh Putinit që Lavrov mund të marrë një këndvështrim për të folur me mua.”
Në atë kohë, Vladimir Putin dhe Sergei Lavrov ishin përkatësisht president dhe ministër i Jashtëm i Rusisë,poste që mbajnë ende sot. Jagland iu përgjigj Epstein-it se të nesërmen do të takohej me ndihmësin e Lavrov dhe do të propozonte një kontakt mes tyre, duke shtuar:
“Faleminderit për një mbrëmje të këndshme. Do të vij në javën e nivelit të lartë të OKB-së,”
mesazh që përmbante disa gabime drejtshkrimore.
Nuk dihet nëse ndonjë takim apo bisedë e mëtejshme ka ndodhur realisht.
Në të njëjtën korrespondencë, Epstein përmendte biseda të mëparshme që kishte pasur me ambasadorin e mëparshëm rus në OKB, Vitaly Churkin, i cili ndërroi jetë në vitin 2017. “Churkin ishte i shkëlqyer,” shkruante ai. “Ai e kuptoi Trumpin pas bisedave tona. Nuk është e ndërlikuar, duhet të duket sikur po merr diçka, kaq e thjeshtë është.”
Në një mesazh për transmetuesin publik norvegjez NRK, Jagland deklaroi:
“Në punën time kam takuar shumë njerëz, të cilët më kanë vënë në kontakt me shumë të tjerë. Kjo është pjesë e aktivitetit normal diplomatik. Ajo që është zbuluar për jetën private të Jeffrey Epstein-it, e dënoj fuqishëm. Për mua ishte e rëndësishme të kuptoja Donald Trump-in dhe zhvillimet në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Shumë kërkonin përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës, gjë që do t’u hiqte qytetarëve rusë aksesin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Unë përdora çdo mundësi për të theksuar sa serioze do të ishte kjo.”
Këshilli i Evropës ka refuzuar të komentojë mbi zbulimet. Jeffrey Epstein vdiq në burg në gusht të vitit 2019.
Thorbjorn Jagland, ish-kryeministër i Norvegjisë dhe politikan i Partisë së Punës, drejtoi Këshillin e Evropës nga viti 2009 deri në vitin 2019. Kjo organizatë, me seli në Strasburg, është institucioni kryesor i kontinentit për të drejtat e njeriut dhe mbikëqyr punën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).
Në vitin 2019, Jagland kundërshtoi përpjekjet për të larguar Rusinë nga Këshilli i Evropës pas krizës në Krime, duke paralajmëruar se një hap i tillë do të ishte “një goditje e madhe për të drejtat e njeriut”, pasi do t’u hiqte 144 milionë rusëve mundësinë për të kërkuar drejtësi në GJEDNJ.
Email-et e Epstein-it, pjesë e mijëra faqeve të dokumenteve të publikuara të mërkurën nga Komisioni i Mbikëqyrjes i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, hedhin dritë mbi rrjetin e gjerë të kontakteve politike dhe biznesore të financierit dhe përpjekjet e tij për të ndikuar ose këshilluar qeveri të huaja gjatë mandatit të parë të Donald Trump-it si president amerikan.
Në disa mesazhe, Epstein pretendonte se kishte këshilluar zyrtarë rusë për të kuptuar më mirë qasjen e Trump-it ndaj diplomacisë dhe negociatave.
Publikimi i këtyre email-eve shton dëshmitë që tregojnë se Epstein, edhe pas dënimit të tij në vitin 2008 për shfrytëzim prostitucioni me një të mitur, kërkonte të ruante ndikimin dhe kontaktet me figura ndërkombëtare deri pak para arrestimit të tij në vitin 2019 për trafikim seksual.
Në një konferencë për shtyp të mërkurën, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se dokumentet “nuk provojnë absolutisht asgjë, përveç faktit që presidenti Trump nuk ka bërë asgjë të gabuar”, ndërsa vetë Trump akuzoi demokratët se “po përpiqen të rikthejnë çështjen e Jeffrey Epstein-it për të shmangur vëmendjen nga dështimet e tyre përballë mbylljes së qeverisë.”/Politico