Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka nisur nga sot bojkotimin e përkohshëm të punimeve në Kuvend, duke mos marrë pjesë në Komisionet Parlamentare.
Vendimi është marrë një ditë më parë, ku kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi ka urdhëruar që asnjë deputet demokrat të mos marrë pjesë në komisione derisa të merret vendimi final. Ndërkohë ka urdhëruar deputetët që të mos mungojnë në mbledhjen e grupit.
Vendimi për bojkotin e komisioneve, thotë Bardhi, është marrë pas situatës së krijuar në seancën e fundit.
“Nesër, e hënë, datë 10.11.2025, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ora 12:30, NUK duhet të mungojë askush!
Nesër, e hënë, derisa të jetë mbledhur dhe të ketë vendosur grupi parlamentar, ASNJË deputet NUK MERR PJESË në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Ky do të jetë një reagim i përkohëshëm i grupit parlamentar nisur nga situata e krijuar në seancën e fundit, derisa Grupi Parlamentar të ketë diskutuar dhe marrë një vendim final. Pra, nesër NUK shkojmë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare”, thuhet në mesazhin e Bardhit.