India ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump se ka rënë dakord të ndalojë importin e naftës nga Rusia, një çështje që ka shkaktuar tensione mes dy vendeve.
Trump deklaroi të mërkurën se kryeministri indian Narendra Modi i kishte dhënë garanci se India nuk do të blinte më naftë nga Rusia, duke e cilësuar këtë si një hap të madh në përputhje me sanksionet e SHBA-së ndaj Moskës.
Por një ditë më pas, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme indiane, Randhir Jaiswal, tha për mediat se “nuk është në dijeni për ndonjë bisedë të tillë” mes Trump dhe Modit, apo për ndonjë premtim të bërë nga kryeministri për ndalimin e blerjeve të naftës ruse.
India ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me Kremlinin dhe pritet të presë presidentin rus Vladimir Putin më vonë këtë vit. Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, India është kthyer në një nga blerësit më të mëdhenj të naftës ruse, duke sfiduar presionin ndërkombëtar për sanksione.
Gjatë muajve të fundit, New Delhi ka refuzuar thirrjet e përsëritura të Trump për të ndalur blerjet e naftës ruse, duke theksuar nevojat energjetike të një ekonomie në zhvillim dhe të një popullsie që tashmë i kalon 1.4 miliardë banorë.
Në gusht, Trump shpalli një tarifë shtesë prej 25% ndaj Indisë, si ndëshkim për vazhdimin e importeve të naftës dhe gazit nga Rusia, në vijim të një tarife të mëparshme me të njëjtin nivel.
Sipas analistëve, do të ishte gati e pamundur për Indinë të ndalojë menjëherë importet nga Rusia, e cila është furnizuesi më i madh i saj. Muyu Xu, analiste e lartë e tregut të naftës në firmën Kpler, thotë se Rusia ka furnizuar mesatarisht 1.7–1.8 milion fuçi nafte në ditë për Indinë në nëntë muajt e parë të këtij viti.
“India nuk mund të ndalojë blerjen e naftës ruse brenda natës. Vëllimet janë thjesht shumë të mëdha,” tha Xu për CNN
Të dhënat e Kpler tregojnë se, ndërsa disa kompani shtetërore indiane kanë ulur blerjet nga Rusia muajt e fundit, disa aktorë privatë i kanë rritur ato.
Korporata Shtetërore Indiane e Naftës (Indian Oil Corporation Limited) bleu 10.35 milionë fuçi në janar, krahasuar me vetëm 4.62 milionë në shtator. Në tetor, deri tani, janë blerë 7.03 milionë fuçi, sipas të dhënave të Kpler.
Ndërkohë, diplomacia midis New Delhi-t dhe Uashingtonit është intensifikuar kohët e fundit për të përmirësuar marrëdhëniet, me delegacione tregtare që po punojnë për të arritur një marrëveshje.