Debatet në Kuvend, shtyhet ngritja e komisioneve për Zgjedhoren dhe Territorialen

Në seancën e sotme plenare, Kuvendi vendosi shtyrjen e votimit për ngritjen e Komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale.

Po ashtu u rrëzua me 72 vota kundër dhe vetëm 37 pro kërkesa e opozitës për rezolutën kundër gjenocidit serb në Kosovë. Ndërkohë ligji për menaxhimin e mbetjeve kaloi në tërësi me 73 vota të mazhorancës.

Pas tensioneve të vazhdueshme në sallë dhe përjashtimit të deputetit Gazment Bardhi, i cili refuzoi të largohej nga salla, kreu i Kuvendit Niko Peleshi, hodhi në votim rendin e ditës pas miratimit të propozimit të Ballës me 73 vota pro.

Peleshi kërkoi largimin e Gazment Bardhit nga Parlamenti, me këtë të fundit që i është drejtuar kryeparlamentarit me terma si “turpi i Kuvendit”.

Deputeti Gazment Bardhi u përjashtua nga seanca plenare pasi ndërpreu disa herë Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Gazmend Gajda, i cili po raportonte në Kuvend.

Në bazë të rregullores, ju jap masën e tretë, ju hiqet e drejta e fjalës për gjithë ditën e sotme… Atëhere po ju jap masën e katërt. Përjashtoheni nga seanca, largohuni, lini sallën!”, tha kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, i cili urdhëroi më pas ndërperjen e seancës.

Seanca e kësaj të enjteje është shoqëruar gjatë gjithë kohës me tensione të forta mes palëve lidhur me gjenocidin në Kosovë dhe protestën e 17 tetorit në sheshin ‘Skënderbej’, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.