Çështja McGonigal dhe abuzimi me fondet e BE-së, Dumani: SPAK po heton!

Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve bëri me dije se po hetohen abuzimet me fondet e IPARD dhe se po bashkëpunojnë me prokurorët europianë për këtë qëllim.

Dumani tha shkurtimisht se çështja është në fazën e hetimit dhe nuk mund të ndajë asgjë më tepër.

“Drejtoreshën e OLAF e kisha në zyrën time. Është bërë publike si takim. Shprehu vlerësimin për takimin që kemi patur mes zyrave tonë, kemi shkëmbyer informacione të shumta. Ka qenë dhe vazhdon dhe do vazhdojë për çështje të ndryshme nga të cilët, marrin në mbrojtje fondet e BE. Fonde që dyshohet se janë keqpërdorur nga administrata shqiptare. Çështja është në hetim që ju përmendni. Çështja është në fazën e hetimit dhe nuk mund të ndajë asgjë më tepër. SPAK ka hetimet aktive për përdorimin e fondeve të BE-së, bashkëpunim me zyrën europiane kundër mashtrimit është intensiv”- tha Dumani.

Po ashtu Dumani është pyetur nga deputeti demokrat Ivi Kaso edhe për çështjen McGonigal, për të cilën tha se përveç hetimeve në territorin e Shqipërisë, po priten sipas tij vendime gjyqësore nga SHBA për ish-agjentin e FBI-së.

“Sa i takon çështjes që ju e quani çështje McGonigal për atë e kam bërë publik deklarimin tim. Kjo çështje është në fazën e hetimit paraprak. Janë kryer një numër i madh veprimesh hetimore në territorin shqiptar por patjetër që për hetimin e çështjeve është e nevojshme edhe ndihma juridike nga autoritete gjyqësore të huaja dhe ne jemi dhe në pritje të përgjigjes nga autoritetet gjyqësore të huaja të cilave i jemi drejtuar me kërkesë për ndihmë juridike”, deklaroi Dumani.