Policia ka arrestuar në zonën e Liqenit të thatë në kryeqytet Aldo Avdylajn, nipin e Astrit Avdylajt.
Ai ishte shpallur në kërkim si organizator i atentatit ndaj Edmir Bregut, i cili u ekzekutua në 23 Janar 2023 teksa po qarkullonte me makinën e tij në lagjen nr.16 të Durrësit.
Sipas hetimeve të SPAK, kjo ngjarje dyshohet të jetë vrasje për hakmarrje, teksa në përgjime Aldo Avdylaj i thotë Astrit Avdylajt: Unë vras 10 vetë nëse më thua ti.
Motivi i vrasjes ishte një përplasje mes dy grupeve kriminale. Edmir Bregu kishte vendosur për të eleminuar Aldo Avdylajn, ndaj në shenjë hakmarrje, Astrit Avdyli urdhëroi ekzekutimin e Bregut. Enea Kume ka qenë informatori i grupit kriminal, që ka ndjekur Edmir Bregun dhe ka dhënë informacione për lëvizjet e tij, ndërsa Alfred Doka dyshohet të jetë ekzekutori i tij.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim, strukturat operacionale të Policisë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ghosts”.
Në kuadër të operacionit, Forcat Operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me DFPO dhe Forcat Speciale “RENEA”, në afërsi të Liqenit të Thatë, kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. A. alias A. A., 37 vjeç, banues në Shijak.
Ky shtetas akuzohet nga GjKKO-ja, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.