Gjenerali që u kthye në ushtar

Duhet të kthehemi shumë mbrapa në histori për të gjetur një president që t’i bindet me kaq zell kreut të një partie sa Bajram Begaj. Në fakt, nuk është nevoja të kërkosh shumë: Haxhi Lleshi, presidenti gjatë komunizmit, do të ishte krahasimi më i afërt.

Ashtu si Lleshi dikur nuk guxonte të kthente sytë pa miratimin e Enver Hoxhës, sot Begaj duket se nuk nënshkruan, nuk flet apo edhe nuk lëviz pa bekimin e Edi Ramës.

I zgjedhur si një figurë e paangazhuar politikisht, me karrierë ushtarake dhe me profil teknik, Bajram Begaj kishte shansin të ishte një president institucional, mbi palët. Por në vend të kësaj, ai ka preferuar të shndërrohet në një postier të urdhrave që vijnë nga selia e Kryeministrisë, duke firmosur ligje që ngjallin pakënaqësi publike dhe kundërshtohen nga shoqëria civile.

Mjafton të përmendim dekretimin e ligjit për studentët e mjekësisë, një akt që jo vetëm i ngjan një dënimi kolektiv, por që e sheh të riun shqiptar si pronë të shtetit. Ndërkohë që të rinjtë largohen për shkak të mungesës së kushteve për punë dhe arsim, presidenti e sheh zgjidhjen tek izolimi me ligj.

Nuk është vetëm ky ligji që Begaj ka dekretuar me entuziazëm të turpshëm. Ai ka firmosur gjithashtu ligje që favorizojnë interesat klienteliste të qeverisë në emër të “investimeve strategjike”, të cilat në praktikë janë kthyer në armë për të grabitur pasuritë publike dhe zonat e mbrojtura natyrore.

Por, nëse dikush pyet veten pse një njeri me gradën e gjeneralit, që dikur ka mbajtur përgjegjësi të larta në Forcat e Armatosura, shndërrohet në ushtar të bindur politikisht, ndoshta përgjigjja duhet kërkuar tek frika.

Jo frika nga pushteti, por frika nga drejtësia. Presidenti Begaj është denoncuar në SPAK për afera që lidhen me tjetërsimin e pronave të ushtrisë. Afera që prekin miliona euro dhe që përfshijnë prona me vlerë strategjike në zonat më të lakmuara të bregdetit.

Ndaj, ai duket se ka zgjedhur rrugën më të vjetër dhe më të njohur në këtë vend: bindjen ndaj atij që ka pushtetin.

Dhe Edi Rama këtë e di mirë. Një president nën presion është president i kontrolluar. Një president që ka frikë nga dosjet është më i dobishëm se një ushtar në kazermë, sepse nuk do ta kundërshtojë për asgjë.

Nuk do të pyesë pse tokat publike shiten për qindarka dhe ndërtohen resorte me firmë të “investitorëve strategjikë”. Nuk do ta kundërshtojë për studentët e Mjekësisë, për mbjelljen e hashashit. Ai do të firmosë, si çdo ushtar që pret urdhrin dhe e zbaton pa pyetur.

Në fund, nuk kemi thjesht një president të pafuqishëm. Kemi një president që ka hequr dorë nga dinjiteti i detyrës. Një gjeneral që është kthyer në ushtar jo për të mbrojtur vendin, por për të ruajtur pushtetin e dikujt tjetër.

Kjo është më shumë se ironike, është tragjike për një vend që ka aq shumë nevojë për institucione që funksionojnë, për njerëz që kanë guximin të thonë “jo”, për figura që nuk frikësohen nga drejtësia.

Ndaj edhe shumë vite më pas, Bajram Begaj nuk do të mbahet mend si President mbi palët, por do të mbahet mend si gjenerali që hoqi uniformën për të nderuar shefin e radhës.