GJKKO ka hequr këtë të premte masën e pezullimit nga detyra për kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, ndërsa ka lënë në fuqi vetëm masën e “detyrimit për t’u paraqitur” pranë autoriteteve.
Myzyri kthehet në detyrë pas tre muajsh pezullimi, vendim i cili u dha 30 qershor, ditë kur edhe iu komunikuan akuzat.
Ai është marrë i pandehur nën akuzën për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Më datë 24 qershor kreu i Prokurimeve Publike u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Akuza ka të bëjë me tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro.
Për këtë procedurë prokurimi krahas Jonaid Myzyrajt, janë marrë të pandehur edhe 10 persona të tjerë, 7 prej të cilëve të akuzuar për shkelje e barazisë në tendera publikë, kryer në bashkëpunim.
Kurse tre të tjerët, përkatësisht Ardian Kaza, Ndoc Kulla dhe Gerald Adhiaj, akuzohen si të dyshuar për falsifikim dokumentesh.