Netanyahu mbron planin e Trump për Gazën

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbrojtur planin 20-pikësh të Presidentit amerikan Donald Trump për paqen në Gazë, përballë kritikave të forta nga aleatët e tij në qeveri.

Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Netanyahu u tha ministrave se bashkëpunimi me Uashingtonin “është më i ngushtë sesa mendoni”, sipas burimeve zyrtare izraelite.

“Ka një mundësi shumë të madhe këtu”, citohet të ketë thënë Netanyahu, duke shtuar se plani nuk është ende hedhur në votim nga kabineti izraelit.

Pas kthimit nga SHBA, ku Trump publikoi planin në Shtëpinë e Bardhë, Netanyahu është përballur me kritika të ashpra nga partnerët e tij të ekstremit të djathtë.

Ai ka sqaruar se propozimi i SHBA-ve përmend një shtet palestinez në mënyrë “të paqartë”, dhe se vendimi për pranimin e kushteve të planit nuk do të merret nga Autoriteti Palestinez (AP), por nga SHBA dhe Izraeli.

“AP është jashtë loje”, tha ai. “As në ‘Bordin e Paqes’ nuk do ketë përfaqësues të AP-së. Kush i përmbush kushtet, vendosim ne dhe amerikanët”.

Ky bord ndërkombëtar, sipas planit të Trump, do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes, përfshirë çarmatimin e Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës, një proces që Netanyahu tha se do të zhvillohet me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Izraelit.

Ndërkohë, ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir e quajti marrëveshjen “të mbushur me vrima” dhe të dëmshme për sigurinë e Izraelit, duke kundërshtuar tërheqjen ushtarake nga Gaza dhe përfshirjen e forcave ndërkombëtare.

Edhe ministri i Financave Bezalel Smotrich u shpreh skeptik, duke e quajtur planin “një dështim diplomatik që do të përfundojë në tragjedi”.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Katari, Egjipti dhe Turqia janë takuar me përfaqësues të Hamasit për të diskutuar propozimin amerikan. Sipas burimeve, Hamasi po e shqyrton me kujdes planin dhe do të përgjigjet pas konsultimeve me fraksione të tjera palestineze.

Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka pezulluar operacionet në Gaza City për shkak të përkeqësimit të situatës humanitare. Sipas autoriteteve palestineze, të paktën 51 persona janë vrarë në 24 orët e fundit, shumica në Gazën veriore.

Presidenti Trump tha se i ka dhënë Hamasit “tre deri në katër ditë” për të dhënë një përgjigje përfundimtare mbi planin.