Siguria dhe besimi janë kushte themelore për praninë e investitorëve në Shqipëri. Në një reagim zyrtar këtë të henë Confindustria Albania dhe Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri kërkuan që nga autoritetet të merren masa për zbardhjen e ngjarjes së dy ditëve më parë ku mbeti i vrarë sipërmarrësi Edoardo Sarchi.
“Confindustria Albania dhe Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri shprehin ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e tyre për familjen e sipërmarrësit italian Edoardo Sarchi, i cili u vra tragjikisht afër Tepelenës.
Jemi tepër të tronditur nga ky akt i rëndë dhe kërkojmë nga autoritetet shqiptare të nisin menjëherë një hetim të plotë, transparent dhe të shpejtë, me qëllim që të zbardhen
plotësisht rrethanat e ngjarjes. Është thelbësore të identifikohen autorët dhe të garantohet drejtësia pa asnjë vonesë në përputhje të plotë me shtetin e së drejtës.
Ngjarje të një rëndësie kaq të madhe nuk mund të mbeten të pandëshkuara; siguria dhe besimi janë kushte themelore për praninë dhe veprimtarinë e investitorëve ekonomikë italianë në Shqipëri.
Prandaj u bëjmë thirrje autoriteteve kompetente që:
– të mobilizojnë të gjitha burimet e nevojshme hetimore, duke bashkëpunuar edhe me institucionet italiane;
– të informojnë rregullisht opinionin publik mbi ecurinë e hetimeve;
– të garantojnë mbrojtje për çdo person që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.
Me këtë deklaratë, konfirmojmë angazhimin tonë për të garantuar kushte të plota ligjshmërie dhe sigurie për qytetarët dhe komunitetet sipërmarrëse italiane dhe shqiptare”, thuhet në deklaratë.
Dy ditë me parë sipërmarrësi Sarchi u gjet i vrarë në zonën Dilen mes Nivicës dhe Salarisë në Tepelenë. Ngjarja nuk është zbardhur ende plotësisht teksa nga Policia dhe Prokuroria po hetohet dhe po merren dëshmi rreth saj. Sarchi zotëronte një biznes që operonte nga viti 2016 në vendin tonë i orientuar tek materialet e ndërtimit, konkretisht tjegulla./ Monitor